Momente paniku në Coogee Beach, 35-vjeçarja sul*ohet nga një peshkaqen i madh!

Një grua 35-vjeçare ka mbetur e plagosur rëndë pasi u sulmua nga një peshkaqen në një plazh të Sidneit, në një tjetër incident që rikthen shqetësimet për sigurinë në brigjet australiane.
Sipas autoriteteve, shërbimet e emergjencës u thirrën të shtunën në plazhin Coogee Beach, në lindje të Sidneit, pasi u raportua se një notare ishte kafshuar nga një peshkaqen i madh rreth 30 metra larg bregut.
Policia bëri të ditur se gruaja u nxor menjëherë nga uji nga persona që ndodheshin pranë, të cilët i dhanë ndihmën e parë deri në mbërritjen e ekipeve të shpëtimit.
Si pasojë e sulmit, 35-vjeçarja pësoi lëndime të rënda në krah dhe në këmbë. Ajo u transportua për trajtim mjekësor, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme mbi gjendjen e saj shëndetësore.
Ngjarja është sulmi më i fundit në një seri incidentesh të ngjashme përgjatë bregdetit australian, ku sulmet e peshkaqenëve vazhdojnë të mbeten një rrezik i pranishëm për notarët dhe sportistët e ujit.


