"Më afatgjatë se l*fta 12-ditore"/ Kondi për Lindjen e Mesme: Janë përfshirë vende të begata, qendra të rëndësishme biznesi në rajon
Në një lidhje direkte për Ora News, ka qenë analisti i çështjeve ndërkombëtare, Sokol Kondi, i cili foli mbi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.
Kondi e vendos situatën aktuale në një fazë më të rëndë se përplasjet e mëparshme, duke e krahasuar me të ashtuquajturën “luftën 12-ditore”.
Sipas tij, rajoni ndodhet tashmë në mes të një lufte që pritet të jetë më e gjatë dhe me pasoja më të thella.
“Jemi në mesin e një lufte që duket se do të jetë më shkatërrimtare dhe më afatgjatë se lufta e 12 ditëve. Përjashto ndonjë skenar të papritur, tendenca tregon për një përplasje të zgjatur.”- tha Kondi.
Analisti nënvizon se edhe pse palët mund të synojnë kufizimin e dëmeve, bilanci në terren është tashmë i rëndë.
Ai sjell në vëmendje një ndryshim të qartë nga përballjet e kaluara si shtrirja gjeografike dhe numri i aktorëve të përfshirë.
“Konflikti i 12 ditëve nuk kishte përfshirë kaq shumë shtete të Lindjes së Mesme. Tani janë përfshirë edhe vende të begata, qendra të rëndësishme biznesi në rajon, çka e bën situatën më komplekse.”- shtoi ai.
Sipas Kondit, përfshirja e shteteve me peshë ekonomike dhe strategjike rrit ndjeshëm rrezikun e përhapjes së mëtejshme të konfliktit dhe e vështirëson kthimin në një situatë të kontrolluar.
Ndiqni intervistën e plotë:


