Loire thahet nga vapa ekstreme, lumi më i madh i Francës kthehet në një shkretëtirë rëre (FOTO)

Thatësira e rëndë dhe vala historike e të nxehtit që ka përfshirë Evropën Perëndimore po lënë pasoja të dukshme në Francë.
Lumi Loire, më i gjati në vend dhe një nga më të njohurit në Evropë, ka pësuar rënie drastike të nivelit të ujit, duke u shndërruar në zona të gjera me rërë që të kujtojnë një peizazh shkretinor.
Mediat e huaja bëjnë me dije, se atje ku dikur rridhte ujë, sot shtrihen hapësira të gjera rëre, me vetëm pellgje të vegjël të ndenjur që kanë mbetur në shtratin e lumit.
Loire, me gjatësi afërsisht 1.000 kilometra, është lumi më i madh në Francë, por temperaturat e larta të zgjatura dhe mungesa e reshjeve e kanë ndryshuar në mënyrë dramatike imazhin e tij.


