Joseph: Bashkëpunimi me SHBA për gazin sjell siguri, refuzimi sjell pasoja

Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Edward P. Joseph, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të pranojë projektin amerikan për gazin natyror, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për sigurinë energjetike të vendit dhe për thellimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.
Sipas Joseph, Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me Ambasadën e SHBA-së dhe administratën amerikane për zbatimin e projektit, duke argumentuar se ai do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe uljen e varësisë nga qymyri.
“Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë këtë projekt. Nuk ka asnjë arsye për të mos e bërë, sepse lidhet drejtpërdrejt me sigurinë energjetike të Kosovës. Qymyri është ndotës dhe nuk është zgjidhje për të ardhmen. Gazi natyror, përmes një tubacioni nga Maqedonia e Veriut, do të krijonte një ombrellë më të gjerë të sigurisë energjetike”, u shpreh ai, shkruajnë mediat në Kosovë.
Joseph shtoi se refuzimi i projektit mund të ketë pasoja për qytetarët e Kosovës, duke dobësuar sigurinë energjetike dhe duke krijuar një distancim më të madh nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në raport me administratën e presidentit Donald Trump.
Profesori amerikan komentoi edhe zhvillimet politike në rajon, duke kritikuar deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç lidhur me Milan Radoiçiqin. Ai i cilësoi të papërgjegjshme qëndrimet e Vuçiçit, i cili ka deklaruar se Radoiçiq po ndiqet penalisht për shkak të Kosovës dhe jo për sulmin e armatosur në Banjskë.
Gjithashtu Joseph kërkoi rritjen e presionit nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian ndaj Serbisë për zbardhjen e ngjarjeve të dhunshme, përfshirë sulmin në Banjskë, si dhe për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

