Italia, “jo” mishit laboratorik: Cënon traditën vendase

Qeveria italiane ka hartuar një projektligj për ndalimin e ushqimeve dhe mishit të prodhuar në laborator. Zyrtarët mendojnë se këto lloj produktesh sintetike cënojnë ruajtjen e kulturës dhe traditës vendase, e cila është e lidhur me ushqimin, verën dhe prodhimet bujqësore. Drafti parashikon penalitete për çdo lloj përdorimi të ushqimeve të prodhuara në rrugë laboratorike.

Italia, “jo” mishit laboratorik: Cënon traditën vendase

Italia ka vendosur të ndalojë konsumin e mishit të prodhuar në laborator.

Me anë të një projektligj, autoritetet atje parashikojnë ndalimin e përdorimit ushqimor të produkteve të kësaj kategorie të prodhuara në laborator.

Ligji do të ndalë krejtësisht prodhimin, shitjen, importin dhe komercializimin e ushqimeve të prodhuara në laboratorë. Gjobat për shkelësit mund të arrijnë deri në 600 mijë euro.

Aktivistët thonë se ushqimet e prodhuara në laborator janë më të mira për mjedisin se metodat e bujqësisë masive.

Nga ana tjetër zyrtarët italianë mendojnë se këto lloj produktesh sintetike nuk ndihmojnë ruajtjen e kulturës dhe traditës italiane, e cila është e lidhur me ushqimin, verën dhe prodhimet bujqësore.

Shkencëtarët arritën të prodhojnë mish në laborator duke përdorur sekuencat gjenetike të marra nga një specie mamuthi e zhdukur prej kohësh.

Për këtë proces nuk është e nevojshme të vriten kafshët dhe aktivistët thonë se kështu është më mirë për mjedisin.

Pavarësisht këtyre argumenteve, qeveria italiane ka hartuar një projektligj për të ndaluar ushqimet dhe mishin e prodhuar në laborator.

Nëse ligji miratohet në parlament, atëherë do të ndalohen me ligj të ashtuquajturat ushqime sintetike, si për njerëzit ashtu edhe për kafshët.

“Është masa e parë e këtillë në nivel ndërkombëtar. Italia është vendi i parë që i thotë jo të ashtuquajturit ushqim sintetik dhe mishit sintetik, dhe e bën këtë me një veprim ligjor. Mendojmë se është një rezultat i rëndësishëm”, tha ministri Francesco Lollobrigida.

Ministri Lollobrigida thotë se masa e ndalimit synon të mbrojë shëndetin e qytetarëve italianë ndërkohë që propozimi ligjor ka marrë edhe mbështetjen e lobit të fermerëve italianë.

Një numër kompanish në mbarë botën kanë filluar të prodhojnë ushqime në laborator, duke filluar që nga filetot e salmonit dhe deri tek biftekët.

Themeluesi i kompanisë australiane “Vow” që prodhoi “qoften e mamuthit”, thotë se dëshiron të frymëzojë njerëzit për të ardhmen e mishit.

EMISIONET