Ftesat e Kurorëzimit/ Bashkëshortja e Mbretit, Camilla do të quhet zyrtarisht “Mbretëreshë”
Teksa vijojnë përgatitjet për ceremoninë e kurorëzimit të Mbretit Charles III, Pallati mbretëror ka shërdarë rreth 2 mijë ftesa për personalitete që pritet të marrin pjesë në ngjarjen e madhe. Publikimi I ftesës ka shënuar edhe titullin zyrtar Mbretëreshë, për bashkëshorten e Charles-it, Camilla.
Ftesa për ceremoninë e kurorëzimit të Mbretit Charles III, e shtypur në letër të ricikluar, tregon se ngjarja e madhe do të shënojë një ndryshim në titullin e bashkëshortes së Mbretit. Tashmë ajo do të quhet zyrtarisht Mbretëreshe Camilla, në vend të "Queen Consort", një titull që u përdor fillimisht si një mënyrë për ta dalluar atë nga mbretëresha e ndjerë, Elizabeth.
Në shërbimin e kurorëzimit muajin e ardhshëm më 6 maj, Camilla do të kurorëzohet përkrah Mbretit, 18 vjet pas martesës së çiftit. Nipërit e saj do të jenë në mesin e faqeve në Ëestminster Abbey, së bashku me nipin e Mbretit, Princin George.
Duke pasqyruar fushatën mjedisore shumëvjeçare të Mbretit, ftesa ka në qendër figurën folklorike të "njeriut të gjelbër", me tipare të krijuara nga gjethet e dredhëzës, murrizit dhe lisit. Sipas Buckingham Palace, është një simbol i pranverës dhe rilindjes që feston një mbretërim të ri.
Ftesa e ilustruar me zbukurime u është dërguar rreth 2000 të ftuarve. Por me afrimin e kurorëzimit, ende nuk është e qartë nëse ftesa për Princin Harry dhe Meghan, Dukeshën e Sussex-it, do të pranohet.
Në ceremoninë e kurorëzimit, ku pritet të marrin pjesë personalitete nga e gjithë bota, SHBA-të do të përfaqësohen nga Zonja e Parë Jill Biden, ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë.
"Presidenti Biden shprehu gjithashtu dëshirën e tij për t'u takuar me Mbretin në Mbretërinë e Bashkuar në një datë të ardhshme," shtohet një deklaratë.
Javën e kaluar Mbreti përfundoi vizitën e tij të parë shtetërore, në Gjermani. Por fokusi tani është në përgatitjet për kurorëzimin. Ende nuk ka një shifër për shpenzimet e ceremonisë, por ajo pritet të bëhey publike pas ngjarjes së madhe.