"E solli me Maserati, i kam të regjistruara takimet e tyre"/ Të tjera dëshmi nga krimi në familjen Malaj. Vëllai i De Santis mohon lidhjen
Mediat italiane kanë publikuar detaje të reja nga vrasja e dyfishtë që tronditi familjen Malaj nga Vlora, ku kryefamiljari, Taulanti, vrau vajzën e tij 16-vjeçare dhe një shtetas italian, për të cilin dyshonte se ishte në një lidhje jashtëmartesore me gruan e tij, Teftën.
45-vjeçari Malaj ka dhënë dëshminë e tij përpara prokurorit, ku këmbëngul se bashkëshortja e tij e tradhtonte me italianin Massimo De Santis, i cili po ashtu mbeti viktimë e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e vonë të së shtunës.
“Unë e bëra videon pranë kufomave pa pasur asnjë arsye të veçantë,” tha bukëpjekësi 45-vjeçar shqiptar që goditi me thik. Ai pretendon se ka regjistrime të takimeve të gruas së tij me shtetasin italian, për të cilin thotë se e shëtiste Teftën me një makinë tip Maserati,
“I regjistrova takimet e tyre, një ditë ai e solli me makinë me Maserati,” tha Taulant Malaj.
Ndërkohë, gruaja Tefta, e cila i mbijetoi masakrës dhe ndodhet ende në spital, kërkon të shohë trupin e vajzës së saj, e cila kishte ndërhyrë atë mbrëmje për ta mbrojtur. Në një intervistë për mediat në Shqipëri, Tefta hodhi akuza të forta në drejtim të bashkëshortit të saj, duke pretenduar se ai kishte ngacmuar seksualisht vajzën e tyre rreth dy vite më parë, ngjarje e cila nuk ishte denoncuar prej tyre.
“Pasi i vrava mora në telefon vëllain tim të cilit i thashë çfarë kisha bërë. Nuk erdhi menjëherë, kishte frikë, mbërriti pas ambulancës”, tha sërish në gjendje shoku Taulant Malaj.
Gjatë marrjes në pyetje ai foli edhe për tentativën e vrasjes së gruas së tij, të cilën ai vazhdon ta akuzojë se ka pasur një lidhje romantike me Massimo-n për më shumë se një vit, i cili jetonte në të njëjtën ndërtesë apartamentesh në Torremaggiore.
“Ata ishin takuar pas një aksidenti automobilistik, që atëherë kishin filluar të flisnin dhe të dilnin. Madje hanin bashkë. Këto takime i regjistroja me celular”, shpjegoi ai.
Raporti i pretenduar mohohet nga vëllai i viktimës De Santis .
Taulant Malaj pretendon se e ka kryer masakrën atë natë, pasi kishte kapur gruan e tij duke biseduar me Massimon. Prokuroria ka nisur të analizojë telefonat celularë të sekuestruar nga viktimat dhe vrasësi i dyshuar.
Dhe versioni i disa dëshmitarëve do të jetë gjithashtu i rëndësishëm. Gianluca De Santis, për shembull, vëllai i viktimës, ka mohuar çdo lidhje sentimentale apo kontakte mes Massimos dhe gruas së bukëpjekësit shqiptar.
Sipas hetuesve për momentin tradhtia “nuk mund të përjashtohet por as të vërtetohet”, ashtu si “nuk ka asnjë element që të mund të thuhet se burri ka dashur të vrasë djalin e tij 5-vjeçar”, i cili ishte fshehur pas divanit, “ose se donte ta kursente” madje duke e marrë në krahë pas masakrës së dështuar (dhe duke i thënë gruas së tij: “Nuk po të vras se dua të të shoh duke vuajtur”).
Autopsia e trupave të dy viktimave është caktuar për mëngjesin e së enjtes. Arma e vrasjes, një thikë kuzhine, u gjet në makinën e Malajt, i cili, sipas vetë të dyshuarit, synonte të arratisej për t’i shpëtuar arrestimit, ose – siç hipotezojnë disa – për t’i dhënë fund jetës.