Andrew dhe Tristan Tate në pranga në Miami, rikthehen akuzat për tr*fikim dhe ab*zim

Vëllezërit Andrew dhe Tristan Tate, figura të njohura në rrjetet sociale dhe të ndjekur nga miliona persona, janë arrestuar në Miami. Autoritetet amerikane nuk kanë bërë ende të ditur arsyen e ndalimit dhe as akuzat zyrtare ndaj tyre.
Andrew dhe Tristan Tate janë përballur prej vitesh me akuza të rënda ligjore, veçanërisht në Britaninë e Madhe, ku ndaj tyre janë ngritur akuza për dhunë seksuale, trafikim të qenieve njerëzore dhe vepra të tjera penale. Londra ka kërkuar edhe ekstradimin e tyre.
Dy vëllezërit, me shtetësi amerikane dhe britanike, janë bërë të njohur përmes përmbajtjeve në internet ku promovojnë një stil jetese të lidhur me luksin, suksesin financiar dhe ide të debatueshme mbi marrëdhëniet gjinore.
Në vitin 2022, ata u arrestuan në Rumani nën dyshimin se kishin krijuar një rrjet për rekrutimin dhe shfrytëzimin e grave. Të dy i kanë mohuar vazhdimisht akuzat, ndërsa procesi gjyqësor në Rumani është përballur me probleme procedurale.
Andrew Tate, ish-kikboksier profesionist, ka qenë më herët në qendër të polemikave edhe për deklarata të diskutueshme në rrjetet sociale. Në vitin 2016 ai u përjashtua nga spektakli britanik “Big Brother” pas një incidenti të regjistruar gjatë programit.
Ndaj Andrew Tate në Britani janë ngritur akuza për përdhunim, trafikim të qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin seksual, plagosje dhe vepra të tjera që lidhen me materiale të paligjshme. Ndërsa ndaj Tristan Tate janë ngritur akuza për dhunë seksuale, përdhunim dhe trafikim të qenieve njerëzore.
Avokati i tyre i ka cilësuar akuzat si të pabazuara dhe është shprehur se vëllezërit do të lirohen pas shqyrtimit të çështjes. Ndërkohë, autoritetet vijojnë verifikimet për të sqaruar arsyen e arrestimit në Miami.


