36 mijë viktima nga tërmetet, Turqia ka lëshuar mbi 100 urdhër-arreste për ndërtuesit
Turqia ka lëshuar më shumë se 100 urdhër-arreste në lidhje me ndërtimin e ndërtesave që u shembën në tërmetet e javës së kaluar.
Inxhinierët e ndërtimit thonë se shumë projekte në Turqinë juglindore nuk janë ndërtuar sipas kodit.
Një tjetër shqetësim në zonat e goditura nga tërmeti në Turqi mbetet vjedhja e shtëpive dhe bizneseve të dëmtuara ose të shkatërruara nga katastrofa natyrore.
Ndërkaq ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se ka ofruar hapjen e dy pikave kufitare me Sirinë për komunitetin ndërkombëtar për të dërguar ndihma humanitare në pjesët veriore të goditura nga tërmeti të fqinjit të Turqisë.
"Ne i thamë komunitetit ndërkombëtar dhe OKB-së se ata mund të dërgonin ndihma humanitare përmes dy portave nën kontrollin tonë," tha Cavusoglu gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologen e tij libiane, Najla al-Mangoush, në Ankara.
Diplomati iu referua dy portave kufitare në provincën Kilis.
“Nuk bëhet fjalë që Turqia të hapë pikat kufitare me Sirinë të kontrolluara nga PKK dhe YPG”, tha ai, duke iu referuar dy grupeve kurde që Ankaraja i etiketon si “terroristë”.
Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të nxjerrin më shumë të mbijetuar nga rrënojat në Turqi dhe Siri, ndërsa numri i të vdekurve nga tërmetet e javës së kaluar arriti në 36,000.
Tërmetet kanë vrarë të paktën 31,643 njerëz në Turqi që nga e hëna, dhe 4,614 njerëz në Siri.