Tërmet i fuqishëm në brigjet e Meksikës, panik në Guatemalë dhe El Salvador

Një tërmet me magnitudë 7.3 ballë ka goditur brigjet perëndimore të Meksikës, duke u ndjerë edhe në Guatemalë dhe El Salvador. Lëkundjet kanë shkaktuar panik mes banorëve, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti u regjistrua në orën 17:48, me epiqendër rreth 48 kilometra në jugperëndim të Aquiles Cerdán, në një zonë detare pranë kufirit me Guatemalën. Thellësia e tij u vlerësua në 15.2 kilometra.
Ndërkohë, Shërbimi Sizmologjik Kombëtar i Meksikës raportoi se epiqendra ndodhej rreth 135 kilometra në jugperëndim të qytetit Hidalgo, në shtetin Chiapas, me një thellësi prej rreth 10 kilometrash.
Lëkundjet u ndjenë fuqishëm edhe në Guatemalë, ku disa ndërtesa u tronditën dhe banorët dolën në rrugë. Sipas raportimeve, u evakuuan edhe disa godina, mes tyre një ndërtesë qeveritare.
Tërmeti u ndje gjithashtu në El Salvador, ku banorët raportuan lëkundje të forta.
Deri në raportimet e fundit nuk ka njoftime për viktima apo dëme të mëdha materiale. Autoritetet në vendet e prekura vijojnë vlerësimin e situatës dhe monitorimin e zhvillimeve.

