BOOM: Projekti Bashkisë Tiranë falimenton banorët e Vaqarrit, shpronësime me 500 lekë metri, çmimi i tregut 70 euro
Sot në emisionin investigativ BOOM në RTV Ora u trajtua shqetësimi shumë i madh i banorëve të Vaqarrit.
Familja Taku ka ne pronësi 380 m2 toke truall të trashëguar dhe me certifikatë pronësie.
Në muajin tetor marrin njoftimin se duhet ta lirojnë pronën që e gëzojnë prej vitesh.
Por çfarë ka ndodhur?
Familja Taku: Na vjen letër nga bashkia se duhet ta lirojmë pronën për interes publik pasi është shpallur zonë e re për zhvillim, sepse do ndërtohen shtëpi që janë shkatërruar nga tërmeti. Çështja është se shteti tallet, ne për 380 metra toke do kompensohem 200 mijë leke të reja, ose 2 milion lekë të vjetra. Na kanë llogaritur 500 lekë metrin e tokës. Ky është skandal. Për më tepër më përjashtuan menjëherë nga procesi i legalizimit të lokalit bar kafe që kam. Po na heqin bukën e gojës.
Familja Taku gëzon një prone me certifikatë pronësie te rregullt, por në kuadër të këtij projekti do të shpronësohen me një çmim shumë të ulet dhe shumë qesharak 200 mijë lekë.
Çmimi i kompensimit është fare minimal 500 lekë për metër katror, ky çmim është shume larg vlerës së tregut në këtë zonë.
Po ashtu, një rast të ngjashëm sjell edhe një tjetër person.
Pronari i tokës: Kam 3000 metra toke me certifikate pronësie. Duan te ma marrin me një çmim qesharak 448 leke për metër. Pra e gjithë toka te me shpronësohet me 1 milion e 300 mije leke. Ky është skandal, vlera e pronës time është shume me e larte. Vetëm muri rrethues qe e kam me leje me ka kushtuar 2. 7 milion leke. Ky është skandal. Ku ndodh qe ne këtë zone te gjesh toke me 500 leke metri.
Gazetarja e BOOM ka kontaktuar në telefon me individë dhe agjenci imobiliare që shesin prona në këtë zonë për të pyetur se sa është çmimi.
Gazetarja: Sa euro është metri i tokës në Vaqarr?
Agjenti imobiliar: Po shkon diku te 60-70 euro për metër katror.
