Bjellorusi, 12 javë aksion antiqeveritar/ Lukashenko: Kush ngre dorën mbi policinë, do i priten duart

Bjellorusi, 12 javë aksion antiqeveritar/ Lukashenko: Kush ngre dorën

Policia në Bjellorusi qëlloi të dielën të shtëna paralajmëruese dhe ndaluan mbi 200 pjesëmarrës të protestave kundër qeverisë dhe presidentit Aleksandër Lukashenko.

Turmat marshuan në sheshet e kryeqytetit dhe qytetet e tjera të nxitur nga zgjedhjet presidenciale të 12 javëve më parë, që i siguruan 66-vjeçarit Lukashenko pushtetin edhe pas 26 vitesh.

Ata iu drejtuan rrethinave lindore të Minskut ku në periudhën staliniste policia e kohës pretendohet se vrau mbi 200 mijë veta.

Situata u përshkallëzua dhe kërkoi një mobilizim më të gjerë të forcave speciale të rendit dhe autobusë të ndryshëm për shoqërimin e të ndaluarve.

Disa qytetarë u përpoqën të bllokonin me makinat e tyre lëvizjen e automjeteve me të shoqëruarit.

Policët ndërhynë me granata çorientuese, me gaz lotsjellës dhe qëlluan në ajër për të shpërndarë protestuesit e revoltuar që bënin thirrje kundër kreut të shtetit dhe diktaturës që ata mendojnë se është vendosur në vend.

Lukashenko ka urdhëruar mbylljen e kufirit me shtetet fqinje, Letoninë, Lituaninë, Poloninë dhe Ukrainën për të ndalur përhapjen e koronavirusi por edhe destabilizimin e vendit nga jashtë.

Presidenti ka shpërfillur thirrjet për dialog me opozitën dhe po kërkon t'i shtypë protestat, duke u sugjeruar edhe universiteteve të përjashtojnë studentët që marrin pjesë në to.

Javën e kaluar teksa zëvendësoi ministrin e tij të Brendshëm, Lukashenko paralajmëroi gjithashtu protestuesit se kushdo që do guxojë të ngre dorën mbi policinë do përfundojë me duar të prera.

Që prej fillimit të protestave në gusht janë ndaluar nga policia mbi 15 mijë protestues dhe 100 prej tyre janë shpallur si të burgosur politikë nga aktivistët për të drejtat e njeriut.

Bota Lajme protesta polici bjellorusi lukashenko

EMISIONET