Bilanci i Tiranës mbrëmë: U mbyt me gaz lotsjellës, 25 të arrestuar, 130 procedohen në liri, 3 të arrestuar

Bilanci i Tiranës mbrëmë: U mbyt me gaz lotsjellës, 25

Policia e Tiranës informon se janë arrestuar në flagrancë 25 persona, ndërsa janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 130 shtetas të tjerë për protestën e mbrëmjes së të premtes, 11 dhjetor në Tiranë.

Ndërkohë gazetari i Ora News informoi se gjatë natës ka pasur mbi 100 të shoqëruar nëpër komisariate.

Sipas policisë janë plagosur edhe 2 efektivë.

Çfarë ndodhi mbrëmë sipas policisë

“Rreth orës 18:00 të datës 11.12.2020, para godinës së Ministrisë së Brendshme nisi një tubim i paligjshëm i cili u përshkallëzua në veprime të dhunshme ndaj institucionit të Ministrisë së Brendshme dhe ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit të cilët ishin në shërbim.”

Më pas, pjesëmarrësit në tubim u ndanë në disa grupe dhe për rreth katër orë kanë ushtruar dhunë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin Skënderbej, në rrugën “Myslym Shyri”, në ish-Bllok, në rrugën "Ibrahim Rrugova”, Gjin Bue Shpata”, “Sulejman Delvina” dhe “Sami Frashëri", ndaj bizneseve private dhe disa automjete.

Gjithashtu, këto grupe kanë sulmuar me gurë e me lëndë piroteknike Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.”

Tre efektivë të plagosur dëmet

“Si pasojë e dhunës me gurë, pllaka guri, sende të forta dhe lëndë piroteknike u plagosën 3 punonjës policie, duke u shkaktuar dëmtime të rënda fizike, u shkatërrua sinjalistika horizontale dhe vertikale në rrugët e lartpërmendura, semaforët, llambadarët e ndriçimit të rrugëve, u është vënë flaka kazanëve të mbeturinave, si dhe në institucionet shtetërore dhe subjektet private janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.”

Policia sqaron se personat që janë shoëqruar janë ata që janë identifikuar nga filmimet e kamerave.  

Shërbimet e Policisë kanë përdorur të gjitha mjetet e ligjshme për të neutralizuar personat e dhunshëm të cilët bënin thirrje për grumbullime dhe nxisin turmat për të dhunuar punonjësit e Policisë.

Strukturat Operacionale kanë bërë të mundur filmimin e personave të dhunshëm të cilët plagosën punonjësit e Policisë dhe shkatërruan pronën publike e private dhe në bazë të filmimeve kanë bërë shoqërimin e tyre.

Personat  janë ndaluar për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’.

Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private, si dhe për identifikimin dhe kapjen e organizatorëve të cilët kanë bërë dhe bëjnë thirrje në rrjetet sociale për të marrë pjesë në tubime të paligjshme.

Policia e mbyll njoftimin duke kujtuar se do të ketë reagime proporcionale ndaj dhunës.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë atyre që duan të protestojnë që të mbajnë parasysh se në këtë kohë të jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve tubimet e më shumë se 10 personave janë të ndaluara me ligj dhe po ashtu çdo përdorim dhune është i dënueshëm nga ligji. Gjithashtu, Policia e Shtetit sjell në vëmendjen e çdo nxitësi apo ushtruesi dhune ndaj uniformave të Policisë, se efektivët e saj e kanë për detyrë të reagojnë proporcionalisht dhe nuk do të ngurrojnë ta bëjnë këtë në asnjë rast dhe për asnjë arsye.

Vendi Lajme Aktualitet protesta ne tirane protsta per klodianin

EMISIONET