Biznesi amerikan në Shqipëri: Shteti po shpërdoron politikat fiskale
Kryeministri Berisha ka premtuar sot krijimin e një klime mëtë favorshme dhe eleminimin e burokracive për biznesin.
Duke folur në takimin e organizuar nga Dhoma Amerikane e tregëtisë, kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria ia arriti të përballojë krizën si pasojë e politikave të saj për të ndihmuar biznesin.
"Rruga më e sigurtë për të mbrojtur këtë vend nga kriza është të mbështesim biznesin, të bëjmë gjithçka për suksesin e tij. Të dhënat më solide ndërkombëtare dëshmojnë që kjo ka qënë një politikë e sukseshme. Janë të dhënat e institucioneve më serioze, të cilat theksojnë se në Shqipëri investimet e huaja janë rritur me 316 përqind në 4 vitet e fundit. Shqipëria është një nga të paktat vende që ka pasur dyfishim të eksporteve të saj. Shqipëria është nga më të paktat vende në Europë që ruajti në rritje konstante ekonomike dhe nuk ra në recesion. Shqipëria, arriti të gjitha këto jo për shkak të gjetjes apo shfrytëzimit të ndonjë burimi gazi por duke u bazuar në parimin që mënyra për tu mbrojtur nga kriza është të ndihmosh biznesin” tha Berisha.
Kryeministri Berisha theksoi se qëllimi më madhor i qeverisë është liria ekonomike e tregut si një hap i rëndësishëm për zhvillimin e biznesit.
Kryeministri ka kërkuar nga biznesi që të ndjekin të gjitha rrugët ligjore nëse u bëhet ndonjë padrejtësi ndërsa u premtoi se zëri i tyre do të dëgjohet nga qeveria.
"Është e vërtetë që autoriteti tatimor ka arbitraritetin por është e vërtetë që ka një sistem të shqyrtimit të ankesave dhe në Shqipëri dhe në çdo vend të lirë autoriteti tatimor është një institucion mes gjyqësorit dhe ekzekutivit. Në këtë kontekst unë nuk mund të them se mund të ketë mbrojtje të plotë nga arbitrariteti i autoritetit tatimor por ka një sistem të shqyrtimit të ankesave dhe ky sistem po ecën duke u përmirësuar. Autoriteti tatimor duhet të jetë i pavarur pasi që në momentin e parë që ai do të veprojë në urdhërin e ministrit ai do të futet në një orbit të papërshtatshëm sepse krijohet një precedent” tha Berisha.
