Berat, Ramës i jepet medalje, shaka me Nasufin: S'e linte Saliun të kthehej pa një nga këto, shpresonte investime
Kryeministri Rama ka përuruar pedonalen e qytetit të Beratit. Duke u ndalur te ajo se çfarë kishin premtuar 1 vit se do të bëjmë atë që nuk është bërë në 20 vjet, Rama tha se këto janë projekte që çelin rrugë të reja për ekonominë.
"Ne kemi investuar në këtë qytet më shumë sesa në 10 vitet e fundit të marra sëbashku, - tha ai. - Për të përmbushur zotimin tonë, në fakt na mjafton edhe një vit tjetër, sepse edhe në vitin që vjen do të bëjmë përsëri më shumë se në 10 vitet e fundit, se këto janë projekte që çelin rrugë të reja për ekonominë."
Po ashtu kryeministri Rama u ndal edhe të ndërtimet pa leje, për të cilat tha se nuk do të lejohen.
Projektet e nisura në qytet, Kryeministri i quajti një program zhvillimi dhe premtoi vazhdimin e mbështetjes për të nxjerrë nga harresa qytetin e vjetër.
"Ndërkohë që padyshim do të vazhdohet më tutje me çuarjen më tej të këtij aksi kryesor, do të vazhdohet më tutje me çuarjen më tej të procesit të rehabilitimit në lagjet historike, por padyshim do të vazhdohet më tej, për t'i dhënë një pamje tërësisht të re të gjitha godinave që janë në anë të rrugës kryesore dhe për të rritur kështu edhe vlerën e gjithë strukturave, qofshin ato të biznesit, qofshin ato të banimit, në gjithë këtë zonë.
Nga ana tjetër rikonstruksioni i hotel Turizmit të famshëm dhe transformimi i tij nga një ngrehinë e vjetër e një kohe të shkuar në një ngrehinë që duke respektuar traditën do të marrë një zhvillim tërësisht të ri do t'i japin gjithë kësaj shëtitoreje dhe një pikë të re referimi.
Ndërkohë ne po punojmë hap pas hapi, për të vazhduar të nxjerrim në pah thesaret e këtij qyteti, duke filluar nga ura e famshme e Goricës, ku praktikisht po ribëjmë tërësisht kalldrëmin, po bëjmë një pastrim rrënjësor, po përgatisim gjithë strukturën për ta mbrojtur urën nga erozioni, duke liruar po ashtu linjta elektrike dhe ujësjellësin që është sipër saj dhe duke i montuar ashtu siç duhet, duke bërë ndriçimin e plotë të urës dhe sigurisht, duke përfituar edhe nga nxjerrja në pah edhe e një harku tjetër të urës, në mënyrë që ai thesar i Beratit të bëhet një pikë e fortë tërheqjeje për turistët dhe për vizitorët. E njëjta gjë për urën e Velabishtit, ku edhe aty po bëhet një investim i rëndësishëm."
Kryeministri ripërsëriti edhe një herë apelin se nuk do të lejohet zaptimi i hapësirave publike.
"Atyre që thonë që ne po shkatërrojmë, unë do t'ju sillja në vëmendje atë që thoshte Pikaso: "Ne shkatërrojmë për të ndërtuar." Dhe nuk ndërtojmë për të shkatërruar, siç ka ndodhur vite të tëra, ku edhe investimet që janë bërë në emër të ndërtimit më shumë kanë sjellë shkatërrim dhe rrënim, sesa kanë sjellë ndërtim. Sigurisht, edhe në Berat nuk do të lëmë pa shkatërruar ndonjë godinë pa leje, nuk do lëmë pa shkatërruar ndonjë godinë që i zë sytë qytetit të vjetër, nuk do lëmë pa shkatërruar ndonjë godinë të ngritur me arrogancë dhe me brutalitet të madh, duke i bërë një karshillëk të madh gjithë popullit të mirë e të urtë të Beratit dhe duke nxjerrë përfitime nga zaptimi i hapësirave të përbashkëta. Epoka e zaptimit të hapësirave përbashkëta nga të fortët e lagjes, nga të fortët e qytetit ka mbaruar në 23 qershor."
Rama, tek merr medaljen: Fadili, nuk e linte Saliun sa herë vinte, pa i dhënë nga një nga këto
Bashkia e Beratit i akordoi Kryeministrit edhe medaljen e mirënjohjes, për mbështetjen dhënë qytetit të cilën, Kryeministri e mori dhe tha me humor, duke u treguar të panishmëve, kryebashkiakun Fadil Nasufi: "Nuk e linte Saliun të kthehej pa i dhënë ndonjë nga këto, se gjithmonë shpresonte se duke dhënë këto, do t'i vinin dhe investime nga mbrapa", - tha Rama. Ai e mori medaljen dhe tha: "Unë kam shumë dëshirë që këtë kujtim, t'ia kaloj Zëvendëskryeministrit, i cili në fakt është drejtuesi dhe koordinatori i gjithë programit të rilindjes së qyteteve."















