Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë, Klosi: Gjuha e urrejtjes, jo pjesë e fjalorit të të rinjve
Nën sloganin “Jo gjuhës së urrejtjes”, 40 të rinj nga Shqipëria dhe Kosova u mblodhën sëbashku për 4 ditë me radhë për të diskutuar dhe shkëmbyer ide rreth kësaj teme.
Ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi, e vlerësoi nismën si një mundësie mirë që rinia e të dyja vendeve të orientohet drejt një kulture debati e cila përcjell pozitivitet në realitetin shqiptar në të dyja anët e kufirit.
Klosi: “Në ato hulumtimet tona, në strukturimet që u bëjmë situatave apo në sondazhet që bëjmë, ndjejmë realisht një shqipe që po varfërohet gjithmonë e më shumë nga ajo shqipja e pastër, nga fjalët e urta, nga gjuha e mirë, nga trajtimi i gjësë me pozitivet. Gjithmonë e më shumë në fjalorin tonë po zënë vend fjalë që nuk janë pozitive”.
Më tej ai kërkoi që nisma të tilla të përhapen jo vetëm për të rinjtë shqiptarë të të dyja vendeve, por nëpërmjet rrjeteve të ndryshme të komunikimit, ato të përfshijnë edhe të rinjtë shqiptarë në mbarë botën.
Klosi: “Ne tashmë kemi një raport të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës, por unë them që këtë duhet ta shtrijmë edhe me të rinj të tjerë në rrjetin e të rinjve të diasporës sidomos, të cilët realisht kanë shumë më tepër nevojë që të kenë trajtim të problematikave të botës shqiptare edhe në shqip, edhe në fjalën e mirë shqip, për të pasur mundësinë që të ngremë projekte të përbashkëta. Ne nuk mund t’i ngremë projektet vetëm për shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës. Ne duhet të mendojmë edhe për shqiptarët e diasporës”.
Aktiviteti u realizua me mbështetjen e fondit të Kombeve të Bashkuara mbi popullësinë dhe vjen si pjesë e fushatës së lançuar nga Këshilli i Europës, e cila ka për qëllim promovimin tek të rinjtë të një gjuhe dialogu dhe mirëkuptimi, larg gjuhës që sjell konflikt dhe mosmarrëveshje.
/Oranews.tv/
