Basha me delegacionin e PDK: Shqipëria do të qëndrojë në krah të Kosovës
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në tiranë. Gjatë takimit me liderin e opozitës Lulzim Basha, ai kërkoi edhe qëndrim të përbashkët të dy shteteve shqiptare për Gjykatën Speciale dhe disa nga temat madhore të Kosovës.
Enver Hoxhaj: Ne mendojmë që faktori politik në Shqipëri të gjitha subjektet politike, të gjitha institucionet shtetërore duhet të japin një mbështetje sa më të madhe shokëve tanë në Gjykatë në Hagë.
Në të njëjtën linjë ishte edhe Lulzim Basha, i cili tha se Shqipëria do të kontribuojë për t’i qëndruar Kosovës në krah për sfidat që e presin. Ai tha se duhet braktisur çdo agjendë apo keqpërdorim personal të sfidave që përballet Kosova, në mënyrë që gjykimi ndaj ish funksionarëve të UÇK-së mos kthehet në gjykim ndaj Kosovës dhe UÇK-së.
Lulzim Basha: Kontributi më i madh që Shqipëria, mund, duhet dhe do të japë është që të qëndrojë fuqimisht në krahë të Kosovës, në krah të institucioneve të Koaovës duke bërë thirrje për një qëndrim sa më të unifikuar të të gjithë faktorëve politikë duke braktisur çdo axhendë apo synim për keqpërdorim personal të sfidave me të cilat përballet Kosova dhe duke unifikuar qëndrimet tona për të dalë dhe njëherë triumfues mbi këto sfida.
Nga ana tjetër Enver Hoxhaj u shprehur i bindur se qeveria e ardhshme në Kosovë do të udhëhiqet nga partia e tij. Për këtë ai tha se së shpejti do të dalin me platformë për integrim të mirëfilltë ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Enver Hoxhaj: Nuk mund të sillemi me parametrat e 2008 dhe në këtë drejtim do të bëjmë përpjekje maksimale që të dalim me një platformë të qartë sa i takon bashkëpunimit politik por do të kemi po ashtu propozime konkrete që të ketë një integrim të mirëfilltë ekonomik
Gjatë vizitës në tiranë Hoxhaj u takua me presidentin, Ilir Meta dhe kreun e kuvendit Gramoz ruci.
