Asgjësohen 132 rrënjë bimë narkotike, shpallet në kërkim një person
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga efektivat e Komisariatit të Policisë Berat për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, pas një informacioni të marrë në rrugë operative në fshatin Ozmëzezë të këtij rrethi, janë gjetur dy parcela të mbiella me 132 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si kanabis sativa.
Bimët varionin deri në 20 cm të larta, të cilat janë asgjësuar me anë të djegies. Autori i kësaj vepre penale dyshohet se është shtetasi me inicialet E.T, 25 vjeç, banues në Tiranë, i cili është shpallur në kërkim.
