Vdes aktorja e rrëmbyer nga Koreja e Veriut
Një aktore e Koresë së Jugut, e cila ka qenë rrëmbyer nga Koreja e Veriut dhe u detyrua të bënte filma për këtë shtet, ka vdekur në moshën 92-vjeçare.
Choi Eun-hee ishte aktorja më e mirë në Korenë e Jugut, kur u rrëmbye nën urdhërin e udhëheqësit të atëhershëm Kim Jong-il në fund të viteve 1970.
Ish-bashkëshorti i saj, një regjizor i njohur gjithashtu u rrëmbye disa muaj më vonë. Por arritën që të arratiseshin.
Koreja e Veriut ka mohuar gjithmonë rrëmbimin e çiftit, duke thënë se ata kishin kërkuar strehim atje.
Aktorja Choi vdiq të hënën pasdite në një spital në Korenë e Jugut.
Lajmi është konfirmuar nga djali i saj, regjizori Shin Jeong-gyun. "Nëna ime ndërroi jetë kur shkoi në spital për dializën e veshkave,"-tha ai.
Rrëmbimi dhe një film i ri
E lindur në vitin 1926 në provincën Gyeonggi të Koresë së Jugut, zonja Choi filloi karrierën e saj të filmit në vitin 1947.
Ajo dhe bashkëshorti i saj, Shin Sang-ok arritën që të bëheshin regjisorët më të njohur dhe yjet e filmit të Koresë së Jugut.
Por nga fundi i viteve 1970, çifti u divorcua dhe karriera e Choi pësoi një rënie.
Gjatë kësaj kohe një biznesmen nga Hong Kong i erdhi me një propozim për të formuar një kompani filmash që do të risillte famën e saj.
Sipas një libri "A Kim Jong-il Production", asaj iu ishte mbushur mendja për të shkuar në Hong Kong. Sapo kishte mbërritur në Hong Kong, ajo u rrëmbye dhe u vu në gjumë me qetësues nga disa burra.
Tetë ditë më vonë ajo ishte në Phenian në një vilë luksoze që ruhej vazhdimisht.
Pavarësisht divorcit, Shin dhe ish-bashkëshortja e tij kishin mbetur miq dhe ai shkoi në Hong Kong për ta kërkuar.
Edhe ai u rrëmbye më vonë.
Kim thuhej se ishte një adhurues i filamve të Hollywood. Ai kishte shpresuar se prania e çiftit në veri mund të ndihmonte industrinë e filmit të konkurronte në skenën ndërkombëtare.
Pas tetë vitesh, çifti fitoi besimin e zotit Kim dhe u lejuan të udhëtonin në Vjenë për të promovuar filmat e tyre.
Por në Vjenë, ata kërkuan azil politik në Ambasadën Amerikane.
Ata u kthyen në Korenë e Jugut më vonë dhe Shin vdiq në vitin 2006.
Përralla e çuditshme ka kapur audiencat anembanë globit.
Në vitin 2016, një film me titull "Të dashurit dhe despoti" u shfaq premierë mbi jetën e çiftit, pasi u rrëmbyen dhe u dërguan në Korenë e Veriut.


