"Shtëpitë do i mbrojmë me trupat tanë", banorët e "Astirit" bllokuan rrugën te Bashkia
E hëna i gjeti sërish në protestë banorët e "Astirit", por ndryshe nga herët e tjera sot ata u zhvendosën para bashkisë së Tiranës. Ata qëndruan aty përreth një orë e gjysmë, duke adresuar thirrje në drejtim të organeve vendore dhe qëndrore që të negociojnë për tu dëmshpërblyer prishjen e banesave, të cilat preken nga projekti për Unazën e Madhe.
Protestuesit gjuajtën me vezë godinën e bashkisë, ndërsa për disa minuta bllokuan rrugën “Abdi Toptani”.
Ora News u interesua pranë bashkisë për protestën dhe përveç faktit se ky institucion nuk kishte një lajmërim paraprak nuk ka një reagim mbi pretendimet e banorëve. Protestës para bashkisë ju bashkuan dhe deputetë të Partisë Demokratike.
Banorët paralajmëruan se do të rikthehen sërish aty nesër në orën 10:00.
Ora News ndoqi live protestë
11:23 Përfundon protesta, nesër sërish para Bashkisë së Tiranës
Pas 1 orë e gjysmë protesta e banorëve të "Astirit" është mbyllur dhe rruga është zhbllokuar. Ata kanë paralajmëruar se do të dalin në protestë sërish nesër në orën 10:00, në të njëjtin vend.
Ora 11:08 PD do mbështesë protestën e banorëve: Rama t'u japë shpjegime
Deputetët Klevis Balliu dhe Flamur Noka i bënë thirrje qeverisë dhe bashkisë së Tiranës të negociojnë me qytetarët e zonës së "Astirit".
Klevis Balliu: Qeveria të hapë veshët dhe të dëgjojë qytetarët. Sot kishte vezë, qytetarët nuk dihet se çfarë sjellin nesër dhe pasnesër. Qeveria të hapë veshët dhe të dëgjojë dhe t'u japë kompensimin cent për cent qytetarëve me çmimin e tregut që është sot, në të kundërt situata mund të përshkallëzohet. Vetë kryeministri Rama të vijë dhe tu japë shpjegimet.PD është totalisht në mbështetje të gjithë qytetarëve që kërkojnë të ushtrojnë të drejtën për të protestuar dhe mbrojtur pronën e tyre.
Flamur Noka: PD është në mbështetje të të drejtës së qytetarëve. Nuk mund të hidhen në rrugë pa asnjë shpjegim. Dëmshpërblimi me vlerën e tregut është kërkesa e vetme e këtyre banorëve, askush nuk është kundër projektit. Të gjithë duan që Tirana dhe gjithë Shqipëria të zhvillohet, por familjet e tyre nuk mund të hidhen në rrugë.
Ora 11:00 Banorët gjuajnë me vezë bashkinë
Banorët që po protestojnë kanë hedhur vezë në drejtim të bashkisë. Më tej kanë pasur dhe një diskutim me policinë. Kjo e fundit u ka komunikuar se nuk kanë leje për protestë dhe se kanë bllokuar qarkullimin. Ata janë ulur këmbëkryq dhe thonë se do të qëndrojnë këtu derisa autoritetet të futen në negociata me ta.
Protestë dhe bllokim rruge te Bashkia e Tiranës
10:00 Banorët e zonës së "Astirit", banesat e të cilëve preket nga projekti i Unazës së Madhe e kanë zhvendosur këtë të hënë protestën e tyre përpara bashkisë së Tiranës.
Protestuesit mbajnë në duar pankarta me mesazhe si "shtëpitë do i mbrojmë me trupat tanë", "dy duar për një kokë", "duam pronat tona", "kryeministër ku je fshehur?", "lali Eri ku je fshehur?", ndërsa në një banderolë të madhe kanë shkruar "fuqia e njerëzve më e madhe se njerëzit në fuqi".
Banorët kundërshtojnë prishjen e banesave pa ua legalizuar më parë, në mënyrë që të kenë të drejtën e dëmshpërblimit. Ata kërkojnë takim me Veliaj për gjetjen e një zgjidhje.
Protestuesi: Erion Veliaj të vijë këtu si burrë, të gjithë këta njerëz nuk i shtyp dot.Kam qenë i PS-së, por jo të më marrësh nusen e djalit të më lindë aty në burg. Ku janë këto Monika, Gramozë?Çfarë bëhet kështu? Ky po na prish shtëpitë dhe po na shkatërron. Turp!
"Xhenhemi ju pret të gjithëve o hajdutë, ferri dhe xhenhemi", thërrasin protestuesit.
Pas protestës para bashkisë ata bllokuan rrugën “Abdi Toptani”. Në mbështetje të tyre, sikundër në protestat e tjera, kanë dalë deputetët e PD-së Flamur Noka dhe Klevis Balliu.
Protestuesit, krahas thirrjeve drejtuar qeverisë dhe bashkisë për zgjidhje, kanë kërkuar prezencë më të madhe të partive të tjera opozitare.
Janë 317 objekte që do të preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe, dhe 163 prej tyre që janë në proces legalizimi do të skualifikohen nga ALUIZNI.


