Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha  se do të japë dorëheqjen dhe do të përballet me akuzat nëse ato konfirmohen.

Ai i bëri këto komente në paraqitjen e parë publike që nga e mërkura kur zyra e Prokurorit të Posaçëm në Hagë, publikoi njoftimin se ka ngritur akuza ende të pakonfirmuara ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Hashim Thaçi: ''Zemra ime është  e lënduar por jo e dhe e thyer. Mendja ime është e rënduar por jo dhe e turbulluar. Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njehtësuar me gjakun e luftëtarëve që humbëm në luftë.  Ndihem sot asnjëherë më parë, i çliruar prej brengave dhe peshave të ballafaqimeve politike. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat.

Të dashur qytetarë, gabime politike mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë. Edhe po të kthehesha mbrapa në kohën e errët të Milosheviçit, do të bëja të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik meplumb të etur për liri dhe duke mos i bërë keq asnjë serbi, romi apo qytetari shqiptar.  Sot, kush thotë që qenkam bërë pengesë dhe sabotues i kësaj Gjykate Speciale, është i painformuar. Unë do të isha njeriu më i lumtur nëse bashkësia ndërkombëtare do të kishte standarde të njëjta mes Serbisë dhe Kosovës përsa i përket krimeve të luftës. Serbia vijon negociatat me Bashkimin Europian teksa Kosovës nuk i liberalizohen vizat. Unë jam angazhuar fuqimisht për dialog dhe paqe me Serbinë, por nuk mund ta pranoj faktin që për shqiptarët e zhdukur nga lufta, nuk ka asnjë deklaratë nga bashkësia ndërkombëtare.

Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat. Në këto dy dekada kam pasur privilegjin të kem mbështetjen e secilit prej jush, natyrisht në këto dy dekada kam bërë edhe gabime, e di edhe vetë. Lufta ka përfunduar, Kosova është shteti i lirë dhe sovran. Prandaj në dy dekadat e fundit kam punuar dhe do të punoj për paqe dhe sovranitet. Sot nuk jetoj vetëm për veten time por edhe për luftëtarët që i kemi varrosur, për familjen. Ne nuk shkuam në luftë për të fituar zgjedhje dhe as për të marrë pushtet, nuk kishim asgjë tjetër përveç ëndrrës për liri.

Sot nuk dua të rëndis të arriturat e karrierës sime sepse nuk është një lamtumirë. Kam mbajtur mbi shpinë shumë akuza, as nuk i mohoj se siç ka patur zhvillime në Kosovë ka pasur edhe sfida për qeverinë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë prova për shkeljen e ligjit nga Hashim Thaçi. Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Slobodan Milosheviçit.

Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, një shtet i ri evropian, një shoqëri multietnike. I them edhe një herë jo hakmarrjes, dhe po tolerancës ndëretnike. Vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare, ndërtojmë të ardhmen euroatlantike.

/Ora News.tv/