Britania e Madhe jashtë Bashkimit Europian, Cameron jep dorëheqjen
Qytetarët britanikë kanë bërë realitet atë që u konsiderua si skenari më i keq i mundshëm i referendumit nga zyrtarët e Bashkimit Europian, duke votuar pro daljes nga Bashkimi Europian.
Me afro 52% të votave në favor të Brexit, të votuar më 23 qershor 2016, Mbretëria e Bashkuar do të duhet të hapë kapitujt e largimit nga blloku me 28 anëtarë, për ta lënë këtë të fundit me një pjesëtar më pak.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, dha dorëheqjen.
"Jo vetëm kemi një demokraci parlamentare por për sa i takon mënyrës së qeverisjes ka momente kur duhet pyetur vetë populli dhe kjo është ajo çfarë ne bëmë. Populli britanik votoi të largohet nga BE dhe vullneti i tyre duhet respektuar. Negociatat për daljen nga BE-ja duhet t’i fillojë një kryeministër i ri”, tha ai në një konferencë më gazetarë.
Cameron ka deklaruar se do të mbajë postin e tij edhe për tre muaj, por vendin duhet ta udhëheqë një kryeministër i ri që do të zgjidhet në Konvetën e Konservatorëve në muajin tetor.
Rezultatet
Komisioni zgjedhor raportoi se në total, 17,410,742 qytetarë mbështetën daljen, ndërkohë që 16,141,241 votuan pro qëndrimit.
Në bazë të shifrave zyrtare, qëndrimet më kundërshtuese kanë ardhur nga Anglia dhe Uellsi, ndërkohë që kryeqyteti Londra, Skocia dhe Irlanda e Veriut kanë mbajtur një qëndrim pro BE-së. Pjesëmarrja në këtë referendum ka qënë 71.8, shifra më e lartë kjo e regjistruar në një proces votimi në Britani që prej vitit 1992.
Ndërkohë, efektet e para negative të daljes kanë filluar të ndihen ne sektorin ekonomik teksa monedha paund ka rënë në nivelin e saj më të ulët përballë dollarit që prej vitit 1985. Ndërkohë, eksperëtët kanë kërkuar që të marrë masa për të fuqizuar monedhën e cila humbi menjëherë 3% që prej shpalljes së rezultateve të para.
Me këtë rezultat, mediat kanë deklaruar se ky është fundi i karrierës politike për David Cameron . Kështu, prestigjozja "The Indipented", në një artikull të publikuar gjatë minutave të fundit, shkruan "Fitorja e Brexit nënkupton se Kryeministri e ka humbur bastin e tij dhe se duhet të largohet". Megjithatë, rrjeti BBC ka raportuar se konservatorët që ishin pro-largimit, Boris Johnson dhe Michael Gove, kanë firmosur një letër drejtuar kreut të ekzekutivit ku i kërkojnë që të qëndrojë pavarësisht rezultatit.
https://youtu.be/TzGNH8yKfs0








