Projekti Veliera, ndërprerja e punimeve ka lënë kantierin e hapur

Projekti Veliera, ndërprerja e punimeve ka lënë kantierin e hapur

Projekti Veliera në Durrës ka mbetur kantier i hapur ndërtimi dhe punimet e bllokuara kanë bërë që sheshi të ketë një pamje aspak tërheqëse për qytetarët dhe turistët.

Prej 22 qershorit, kohë kur u hapën të dy drejtimet e rrugës në nënkalimin e ndërtuar, gjithçka ka mbetur pezull. Me përfundimin e fazës së parë të projektit gjashtë milionë dollarësh, nuk ka të dhëna të sakta për nisjen e fazës së dytë të punimeve.

Mësohet se shkak për ndërprerjen e punimeve është bërë raporti i Agjencisë Kombëtare të Arkeologjisë, raport nga i cili varet e ardhmja e punimeve në këtë shesh.

Punëtorët e firmës zbatuese  janë larguar prej andej, ndërsa nuk ka ende një vendim nga Gjykata Administrative apo  Gjykata e Apelit për vendimin e zhbllokimit të punimeve. Zvarritja e çështjeve gjyqësore nuk u shërben qytetarëve durrsakë, të cilët janë apo nuk janë dakort me projektin presin me padurim përfundimin e investimit.

Kushdo që kalon në rrugët pranë sheshit të ndërtimit përballet me një kantier të shëmtuar e të braktisur ndërsa ka vështirësi për lëvizjen e automjeteve në rrugicat e papërfunduara.

/Oranews.tv/

EMISIONET