Aviacioni civil prej dy muajsh ka provuar dështimin e sigurisë, testimet problematike
Mungesa e sigurisë në aeroportin më të madh në vend Rinas duket se nuk ka qenë e panjohur për policinë dhe për vetë aeroportin.
Siç del edhe nga ky raport Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Policia e Shtetit kanë bërë 3 testime të fshehta për sigurinë në aeroportit, testime që jane kryer vetëm dy muaj e gjysëm më parë në datën 20 Prill 2016.
Testimi 1 ka qënë futja e eksplozivit, testimi i dytë për futjen e armëve të ftohta dhe testimi i tretë çarja e rrethimit (perimetrit të jashtëm), pikërisht tek e njëjta derë ku kanë hyrë grabitësit.
Në të tre testimet, mësohet se siguria e aeroportit ka dështuar të sinjalizojë rrezikun.
Tritoli është futur, po ashtu edhe thika. Por, më e rënda, është realizuar futja pikërisht në të njëjtën pikë ku u fut edhe makina e grabitësve.
Për 10 minuta simulatorët kanë çarë rrethimin dhe nuk janë kapur nga sistemi i kamerave të ICTS-së, i cili nuk ka funksionuar.
“Testimi i parë ka kaluar pa u vërejtur nga ana e stafit të sigurisë në pikën e kalim-kontrollit për pasagjerët, në terminalin e aeroportit, para hyrjes në zonën e kufizuar të sigurisë. Testuesja që do të udhëtonte si pasagjere e kishte fshehur artikullin e ndaluar në bagazhin e dorës dhe në tentativë arriti ta kalonte kontrollin e sigurisë pa u diktuar. U vërejt se bagazhi i dorës u kontrollua sipas procedurës me anë të skanerit me rreze X. Nga ana e agjentit të skanerit nuk pati asnjë reagim apo dyshim për asnjë nga objektet testuese të fshehura në bagazhin e dorës. Bagazhi u konsiderua i pastër dhe u lejua të kalonte” thuhet në raport.
“Testimi i dytë ka kaluar pa u vërejtur nga ana e stafit të sigurisë në pikën e kalim-kontrollit për ekuipazhin dhe stafin. Në terminalin e aeroportit, para hyrjes në zonën e kufizuar të sigurisë, testuesja, teksa u paraqit me fletëhyrje të rregullt si staf i AAC, e kishte fshehur artikullin e ndaluar në njërën nga këpucët e saj dhe në tentativë, arriti ta kalojë kontrollin e sigurisë pa u diktuar” thekson më tej raporti.
Ndërsa testimi i tretë është bërë pikërisht në vendin ku ndodhi grabitja.
“Testimi i tretë ka kaluar pa u vërejtur nga ana e stafit të sigurisë në shërbim të ruajtjes dhe patrullimit si dhe nga operatorët në sallën e kamerave. Patrullat e shërbimit në lëvizje dhe sistemi i vëzhgimit me kamera përgjatë rrethimit të sigurisë së perimetrit dështuan në diktimin e tentativës për hyrje të paautorizuar. Për më tepër, u mësua se 2/3 e kamerave të vëzhgimit ishin prej disa ditësh jashtë funksionimit, në kundërshtim me kërkesat e shtojcës 25 të ligjit nr. 9312".
Mësohet se testimi i 20 prillit 2016 i është njoftuar drejtuesve të aeroportit në 13 maj, duke ngritur alarmin e rëndë mbi cënueshmërinë e sigurisë së pistës së vetme ndërkombëtare në vend.
Testimet e fshehta të datës 20 prill 2016 në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza" Rinas, u kryen në mbështetje të Programit Kombëtar të Cilësisë dhe Sigurisë në Aviacionin Civil.
Testimet u organizuan dhe u drejtuan nga ana e Drejtorisë së Mbikqyrjes së Sigurisë në Aviacion, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë në Rinas.
Mësohet se raporti për dijeni edhe të Ministrisë së Transporteve i është dërguar drejtuesit të aeroportit të Rinasit në 13 maj.
Por nga ICTS dhe aeroporti nuk u mor asnjë masë.

