Lë sot spitalin, dosjet në makinën e Ndojt nuk janë ato që vodhën në Prokurorinë e Durrësit
Kur kanë kaluar më shumë se dy javë nga atentati ndaj prokurorit Ndoj, grupi hetimor ka arritur në konkluzionin se dokumentat e gjetura në automjet nuk kanë lidhje me dosjet e humbura nga prokuroria e Durrësit. Ndërkohë kamerat e sigurisë nuk kanë kapur itinerarin e autorëve. Prokuroria është në pritje të analizave te ADN-së.
Dokumentat e gjetura në automjetin ku po udhëtonte prokurori Arjan Ndoj nuk kanë lidhje me dosjet e vjedhura në prokurorinë e Durrësit. Kjo është pohuar për RTV Ora nga grupi hetimor, i cili që prej datës 1 nëntor heton atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, Aleksandër Lahos dhe Andi Malokut.
Të njëjtat burime deklarojnë se akoma janë në pritje të rezultateve të analizave të ADN-së, të cilat nuk i kanë mbërritur prokurorisë për të ndihmuar në krijimin e profilit të personave që janë ndodhur në automjetin, i cili dyshohet së eshtë i autorëve.
Gjithashtu mësohet se hetuesit nuk po i ndihmon zbardhja e kamerave të sigurisë së objekteve që janë sekuestruar përgjatë autostradës për të kqyrur makinën e autorëve dhe kohën kur janë venë në ndjekje të automjetit të prokurorit.
Kjo për shkak të cilesisë së dobët të tyre të vendosura qoftë në autostradë si dhe në objektet private megjithëse ligji për sigurinë parashikonte pajisjen me kamera të cilësisë së lartë.
Gjithashtu, dy të plagosurit, Arjan Ndoj dhe Aleksandër Laho pritet të dalin gjatë ditës së sotme nga spitali rajonal i Durrësit, pasi gjendja e tyre është përmirësuar dhe do të merren në pyetje nga prokurorët.
Nga hetimet e deritanishme, në prangat e policisë ka përfunduar vetëm një autor i dyshuar, Redjan Rraja, i cili është lënë nën masën "arrest me burg", masë e cila është ankimuar dhe pritet të shqyrtohet në 20 nëntor në Apelin e Krimeve të Rënda.
