Epidemiologu Alban Ylli tha se në vendin tonë kanë nisur të bëhen projeksione për numrin që do të preken me koronavirusin.

Në një lidhje me skype për RTV Ora, mjeku bëri të ditur se bazuar edhe në parametrat e Kinës, Shqipëria do të kalojë kurbën e zakonshme të epidemisë, duke prodhuar disa mijëra të infektuar.

Alban Ylli: Kolegët e ISHP kanë filluar të bëjnë projeksione, të cilat mos harrojmë varen nga disa parametra. Nuk mund të bazohen në fakte të forta që nuk kanë ndodhur ende. Prirja e deritanishme e epidemisë e kombinuar me parametrat e huazuara nga epidemia në Kinë dhe më gjerë të lënë të kuptosh që në Shqipëri do të kalojmë në kurbën e zakonshme të epidemisë, e cila me shumë gjasë do të prodhojë disa mijëra të infektuar.

Alban Ylli tha se nëse do të duhet të ecim sipas strategjisë së Kinës, duhet të bëhen sa më shumë gjurmime dhe izolime.

Alban Ylli: Identifikohen shumë kontakte, megjithatë duhet të theksojmë se nevoja për të gjurmuar rastet do të bëhet me gjasë më  e madhe sesa kapacitetet aktuale të shëndetit publik në Shqipëri dhe ndoshta do të na duhet të përfshijmë edhe persona të tjerë. Duhet të bëjmë një riorganizim të brendshëm dhe ndoshta do të na duhet të përfshijmë edhe vullnetarë, mjekët e rinj që kanë filluar të afrohen me shëndetësinë shqiptare, por pse jo edhe me personat nga bashkitë që kanë nevojë për tu trajnuar. Nëse duam ti afrohemi strategjisë së Kinës duhet të bëjmë shumë gjurmim, hetim dhe izolim të gjitha rasteve të dyshuara. Kjo do të ishte një strategji efikase e cila do të zbatohet në të ardhmen në Shqipëri edhe për të zëvendësuar një pjesë të masave drastike, të cilat mund të vijnë duke u zbutur.

Të gjitha shoqëritë perëndimorë do të duhen të kenë një zbutje të masave me kalimin e kohës, me gjasë nga muaji prill. Unë mendoj që edhe Shqipëria do të ketë nevojë, ky do të jetë një vendim që do të merret nga autoritetet përkatëse, por edhe në OBSH janë duke përmendur këtë. Masat e deritanishme janë për të frenuar qarkullimin e virusit, për të përgatitur sistemin shëndetësor për ta përballuar atë më mirë, por edhe për të adaptuar strategji akoma me efikase, më precizë, me kirurgjikale, më klinike pra më specifike, të cilat në një farë mënyrë i lënë frymëmarrje ekonomisë, shoqërisë, por nga ana tjetër ndërpresin qarkullimin e virusit në komunitet aq sa është e mundur.

/Ora News.tv/