Maja Koçijançiç: Djegia e mandateve minon progresin, presim dialog
Bashkimi Europian i bëri thirrje qeverisë shqiptare të përfshihet në bisedime me opozitën për të tejkaluar ngërçin e fundit politik në vend.
Zëdhënësja Maja Kocijancic, në përgjigje të interesit të gazetarëve gjatë seancës së përditshme, ripërsëriti edhe deklaratat se djegia e mandateve nga ana e opozitës në Shqipëri pengon zhvillimin e demokracisë.
"Sa i takon djegies së mandateve, vendimi i opozitës pengon seriozisht zhvillimin e demokracisë në Shqipëri sepse parlamenti është vendi ku reformat duhet të diskutohen, të merren dhe të çohen përpara dhe jo bojkoti. Këto vendime janë kundërproduktive dhe kundër zgjedhjes demokratike që qytetarët shqiptarë kanë bërë dhe minon progresin që vendi ka bërë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Ne presim që të gjithë anëtarët e parlamentit të mbrojnë idealet dhe principet e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në parlament dhe të ndërmarrin të gjithë masat e nevojshme për të evituar veprimet e dhunshme"
Duhet dialog- Gjithashtu Koçijançiç përcolli dhe mesazhin që qeveria dhe opozita duhet të dialogojnë për të zgjidhur këtë situatë.
"Mbani mend që ne presim që qeveria dhe opozita do të angazhohen në diskutime konstruktive për të tejkaluar situatën politike. Është një deklaratë shumë e qartë."
Vetingu- E pyetur se shpejtimi i reformës në drejtësi po cënon cilësinë e reformës, zëdhënësja Kocijancic e hodhi poshtë një pretendim të tillë dhe theksoi se vettingu po ndihmon për të luftuar korrupsionin në drejtësi.
"Në këndvështrimin tonë nuk ka indicie se përshpejtimi i reformës në drejtësi po cenon cilësinë e vettingut. Që prej fillimit vettingu ka prodhuar rezultate konkrete dhe ne besojmë se vettingu po ndihmon për të luftuar korrupsionin në drejtësi.”
Ambasadat e SHBA dhe BE në Tiranë kanë apeluar javët e fundit që opozita dhe mazhoranca të dialogojnë në kuvend.
