Macron: Kemi prova për përdorimin e armëve kimike në Siri

Macron: Kemi prova për përdorimin e armëve kimike në Siri

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Franca ka prova se qeveria siriane ishte pas sulmeve të dyshuara kimike javën e shkuar në Douma, por shtoi se ai do të vendoste për një ndërhyrje ushtarake sapo të mblidhej i gjithë informacioni i nevojshëm.

"Ne kemi prova se javën e kaluar ... janë përdorur armë kimike, të paktën klori dhe se ato janë përdorur nga regjimi i Bashar al-Assad", tha Macron gjatë një interviste televizive.

Macron tha se zyrtarët francezë dhe amerikanë "po punojnë së bashku shumë ngushtë dhe do të kemi vendime për të marrë, në kohën kur zgjedhim, kur e konsiderojmë atë më të dobishëm dhe më efektivë".

I pyetur nëse objektet e armëve kimike siriane do të ishin objekt i sulmeve, Macron u përgjigj: "Kur të vendosim dhe do të duhet të verifikojmë të gjitha informacionet".

"Ne do të duhet të marrim vendime në kohën e duhur, kur ta gjykojmë të dobishme dhe efektive", tha.

Macron tha në shkurt të këtij viti se "Franca do të godasë" nëse armët kimike përdoren kundër civilëve.

Kancelarja gjermane Angela Merkel diskutoi sulmin me Macron të enjten dhe i tha atij se ishte e shqetësuar pasi bashkësia ndërkombëtare nuk po ndalte përdorimin e armëve kimike.

"Gjermania nuk do të bashkohet me sulme ushtarake kundër qeverisë siriane në përgjigje të një sulmi me gaz helmues në një enklavë opozitare, por mbështet përpjekjet perëndimore për të treguar se përdorimi i armëve kimike është i papranueshëm", tha Merkel.

EMISIONET