Armando Cungu mbush kupën, Kukësi e zëvendëson me Ndreun
Humbja minimale kundër Skënderbeut i ka kushtuar shtrenjtë Armando Cungut. Tekniku shkodran është shkarkuar nga posti i trajnerit të ekipit verilindorë. Lajmi është konfirmuar përmes një njoftimi në rrjetin social "Facebook". Në komunikim thuhet se rezultatet negative kanë detyruar drejtuesit e nënkampionëve të vendit që të ndërpresin kontratën me teknikun shkodran.
"Futboll Klub Kukësi njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Armando Cungu. Si pasojë e rezultateve negative te javëve të fundit, drejtuesit e Klubit dhe Armando Cungu kanë arritur me mirëkuptim përfundimin e bashkëpunimit.
"Falenderojmë trajnerin Cungu për kontributin e dhënë në drejtimin e skuadrës sonë dhe i urojmë suksese në karrierë! Që nga dita e sotme në krye të pankinës sonë do të jetë Ramazan Ndreu, i cili mbante detyrën e drejtorit të menaxhimit te klubi ynë" thuhet në njoftimin e sport klubit. "
Vendin e lënë bosh në pankinën e Kukësit e merr menaxheri i klubit, Ramazan Ndreu. Ky i fundit do të debutojë në stolin e ekipit në ndeshjen kundër Partizanit. Aktualisht distanca mes dy skuadrave është 9 pikë në favor të të kuqve.
