Bundestagu i thotë "PO" hapjes së negociatave për Shqipërinë me kushte, Maqedonia e Veriut s'ka kushte

Bundestagu gjerman ka votuar në favor të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për Shqipërinë u votua me 395 pro, 188 kundër dhe 16 abstenim.

Por ndërsa për Maqedoninë e Veriut u kërkuan data dhe afate kohore konkrete, Shqipëria duhet të plotësojë në dy faza nëntë kushte para se të nisë me kapitullin e parë të hapjes së negociatave. Në këtë mënyrë  Bundestagu miratoi të enjten në mbrëmje, 26 shtator,  rezolutat për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE.

Dallimi në vota mes dy vendeve ku Maqedonia e Veriut mori më shumë PO erdhi si pasojë e votimit të liberalëve, FDP, pro Maqedonisë së Veriut dhe kundër Shqipërisë. 

Disa deputetë të koalicionit CDU/CSU, u shprehën pro hapjes së negociatave, për ti dhënë një shans Shqipërisë, por kërkuan më shumë punë në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit.

Deputetë te CDU/CSU, janë shprehur se Shqipëria ka bërë përparim në sistemin e gjyqësorit, por ka ende punë për të bërë në luftën kundër krimit të organizuar 

Florian Hahn gjatë fjalës së tij tha se Gjermania i ka vendosur kritere shumë të forta Shqipërisë, të ndara keto në dy faza. 

I kujtoj Shqipërisë krizën e brendshme politike, korrupsionin, krimin e organizuar, por edhe mallin për „Shqipërinë e Madhe”, Çfarë të bëjmë, ta lëmë Shqipërinë vetëm?" Do të humbim një rast historik, nëse i kthejmë shpinën Shqipërisë” 

I ashpër ka qënë edhe një tjetër anëtar i Bundestagut i këtij grupi i politik. Peter Beyer nga CDU foli për çështjen Tahiri duke thënë se “askush nuk mund të na hedhë hi syve me atë dënim”. Më e zjarrtë ishte fjala e deputetit të gjelbër, Manuel Sarrazin, i cili u shpreh i indinjuar me atë që ai e quajti „arrogancë“ të Bundestagut që vendos kushte të reja, përtej atyre që ka vendosur Komisioni i BE-së. 

Veç të tjerash, ai kritikoi edhe ndërhyrjet e disa deputetëve në krizën e brendshme në vend, si ndërhyrje në politikën e brendshme të Shqipërisë.

Liberalët e FDP-së e ndanë votën e tyre: "Po" për Maqedoninë e Veriut dhe  thuajse njëzëri "jo" për Shqipërinë. Vetëm një deputet liberal i dha Shqipërisë votën pro. 

Me një rezolutë të vetën, partia opozitare  propozoi që negociatat me Shqipërinë të çelen vetëm atëherë, kur të jenë bërë përparime efektive në prioritetet kyçe të përcaktuara nga Komisioni Evropian. 

Në të kundërt, në rezolutën për Shqipërinë kërkohej që qeveria gjermane  t’i miratonte negociatat e pranimit me Shqipërinë në Këshillin Evropian, më 17 dhe 18 Tetor 2019, vetëm me kusht që konferenca e parë e pranimit të zhvillohet kur qeveria gjermane të ketë konstatuar plotësimin e dy kushteve:  

1 - Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe pajisja e tyre me numrin e duhur të gjyqtarëve dhe prokurorëve; 

2 - Miratimi i ligjit të ri zgjedhor dhe garantimi i një financimi transparent të partive dhe fushatave elektorale.

Rezoluta
Sipas rezolutës, konferenca e dytë, dhe hapja e kapitullit të parë për negociatat mund të ndodhë vetëm kur të jenë plotësuar shtatë kushte të tjera:

1 - Implementimi i reformës zgjedhore; 

2- Hapja e ndjekjeve penale ndaj gjykatësve dhe prokurorëve që nga  Vetting-u janë akuzuar për vepra të dënueshme penalisht;

 3- Çelja e procedimeve nga prokuroria, dhe eventualisht nga gjykatat, kundër personave që kanë pasur lidhje me shitblerjen e votave;

 4 - Përparime solide në luftimin kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe zyrtarë dhe politikanë të lartë. Këtu hyjnë hetime proaktive gjegjësisht ndjekje penale dhe dënime për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

 5- Funksionimi i strukturës së posaçme antikorrupsion (SPAK)

 6 - Përparime në reformën zgjedhore, duke përfshirë edhe verifikimin e punësimit të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, duke pasur parasysh edhe akuzat për parregullsi.

 7 - Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019;  në rast se zgjedhjet duhet të përsëriten, atëherë ato duhet të  mbahen mbi bazën e ligjit  të ri zgjedhor.

Ndër të tjera "Bundestagu ruan të drejtën të përdorë të drejtën e tij të përgjithshme për të komentuar nëse konstaton se kushtet për hapjen e kapitujve negociues nuk janë përmbushur."


EMISIONET