"BOOM" - Rrobat e Veliajt “marrin dhenë” në Tiranën e solidaritetit
Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me kompaninë “Eco Tirana” dhe “Galutex” në vitin 2017, jetësoi nismën “ Riveshim botën me solidaritet”.
Nëpër Tiranë, në zonat më kyçe u instaluan mbi 30 kuti të verdha, ndryshe kontenierë, ku qytetarët, veshjet e përdorura, këpucët e përdorura, çantat, mund t’i fusnin në to, në ndihmë të shtresave në nevojë, kryesisht të fëmijëve jetimë.
Por, pasi disa qytetarë u ankuan në redaksinë e “BOOM” preku nga afër disa kontenierë të tillë dhe vuri re se nuk janë funksionale, për shkak se mini hapësirat ku mund të fusësh rrobat, janë të bllokuara, ndoshta nga tejmbushja e tyre. Në këtë mënyrë qytetarët solidarë i kanë lënë përtokë veshjet e përcaktura për dhurim.
Kjo ka sjellë ndotje të ambjentit rreth e qark, duke u kthyer në një problem serioz.
Administratori i Eco Tirana, Diego Testi në një intervistë të dhënë për Tv Ora, 02.01. 2018 shpjegoi se si funksiononte projekti.
“Mbledhja e rrobave të përdorura është një projekt që vjen pas punës së bërë nga “Eco Tirana” për diferencimin e mbetjeve. Këta kontenierë janë vendosur në zona qëndrore, më të rëndësishme në Tiranë dhe çdo javë ne mbledhim mijëra kg veshje. Ne këtë e quajmë sukses sepse është ende vetëm fillimi. Për këtë projekt ne bashkëpunojmë me “Galutex” që bën pastrimin e tyre. Më pas këto veshje dhe gjithcka tjetër që kemi mbledhur, i cojmë në Shtëpitë e Fëmijës, një prej të cilave është ajo “Betania”, me 70 fëmijë të braktisur .”
"BOOM" bëri një vëzhgim brenda pak orësh ku vizitoi objektet pranë stadiumit “Air Albania”, pranë Fakultetit të Ekonomisë, pranë shkollës “Vasil Shanto”, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.
Hapësirat që shërbejnë për futjen e veshjeve i gjetëm të bllokuara, mekanizmi nuk rrotullohej, pasi llogjikisht kanë qenë të tejmbushur. Ndërkohë, nr. i afishuar në secilin prej tyre ishte jo funksional.
Gazetari i "BOOM" intervistoi disa qytetarë të cilët thonë se këto kontenierë duhet të menaxhohen ashtu sic duhet.
“T’i rregullojnë! Pse mos t’i bëjnë? Gjithë ky vend i bukur. Këtu nuk bëhet më!”
“Është përgjegjësi e bashkisë!”
Emisioni "BOOM" kontaktoi dhe me znj. Hëna Hoxha administratore e "Galutex" e cila u shpreh se pas rihapjes së vendit nga masat kundër koronavirusit ka shtuar dhe numrin e njerëzve që çojnë materialet në kontenierë.
Ndërsa për pastrimin e zonës përreth kontenierëve ajo shprehet se është një kosto ekstra.
Administratorja: Pas mbylljes, për arsye të pandemisë , kuptohet se ishte një periudhë e ndërrimit të dollapeve, i themi ne femrat, të sezonit dhe direkt, pas hapjes nga pandemia, ka patur një dyndje të mbushjes. Njerëzit kanë çuar shumë material në kontenierë. Ne po mundohemi, nga dy herë që bëhej më parë, po i shpeshtojmë dhe zbrazja e radhës ishte mbrëmë, zbrazja tjetër, në zonë tjetër, do të jetë sonte. Ka patur aq shumë prurje dhe është normale që kur ato janë të mbushura, ato nuk rrotullohen dhe banorët nuk mund të hedhin rrobat që kanë.
Gazetari: Kemi parë që përreth ka veshje, ndotje. “Eco Tirana” por edhe ju si kompani në mbrojtje të mjedisit, nuk mendoni që të pastroni edhe ambientet aty?
Administratorja: Njerëzit jo të gjithë e kanë edukatën, e shohin që është e mbushur dhe e lënë qesen aty përtokë. Nuk është se nuk mund të kontriubohet për të mirëmbajtur mjedisin, problemi është se kostot janë kosto dhe nëse do i shtoj edhe mirëmbajtjen rreth e qark, bëhet e vështirë në mënyrën e menaxhimit.
