Beteja e fundit për të mundur ISIS

Beteja e fundit për të mundur ISIS

Beteja e fundit për të mundur Shtetin Islamik po zhvillohet në Baguz të Sirisë. Sulmet ajrore dhe ato me artileri të rëndë rifilluan që të dielën nga forcat kurde që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është enklava e fundit që mbahet nën kontroll nga mbështetësit e kalifatit të vetëshpallur.

Luftime të ashpra janë vërejtur të hënën në Baghouz të Sirisë midis Forcave Demokratike Siriane dhe militantëve të Shtetit Islamik. Kjo është enklava e fundit që mbahet nën kontroll nga mbështetësit e kalifatit të vetëshpallur. Një reporter i agjencisë Reuters njoftoi se sulmet ajrore dhe ato me artileri të rëndë rifilluan që të dielën nga forcat kurde që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Një video e shpërndarë nga agjencia kurde e lajmeve ANHA tregon shkëmbimin e zjarrit dhe fluturimin e raketave që godasin enklavën nga brigjet e lumit Eufrat. Baghouz, është i vetmi territor i mbetur i kalifatit i pushtuar që në vitin 2014, pas kaosit që përfshiu Irakun dhe Sirinë. Në atë kohë militantët pushtuan një të tretën e të dy vendeve.

Armata e Forcave Demokratike të Sirisë (SDF) dhe koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara thonë se në Baghouz kanë mbetur luftëtarët e huaj më fanatikë të Shtetit Islamik, ndërse agjencitë e zbulimit të vendeve perëndimore besojnë se kreu i tyre, Abu Bakr al-Bagdadi, është larguar nga zona.

Në të tjera zhvillimet, gazeta “The Wall Street Journal” raportoi se negociatat mes Shteteve të Bashkuara, aleatëve evropianë dhe Turqisë, kanë dështuar të sigurojnë një marrëveshje për të krijuar një zonë të sigurt në verilindje të Sirisë, në mënyrë që të mbrohen luftëtarët kurdë, që kanë bashkëpunuar me forcat perëndimore.

Si pasojë e kësaj, sipas gazetës, ShBA-ja do të mbajë në rajon 1,000 trupa. Por Pantagoni tha se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. (Leftion Peristeri)

EMISIONET