Konispoli mbyll legalizimet, Lame shpërndau certifikatat e fundit
ALUIZNI dhe Hipoteka do të jenë në një institucion të vetëm. Artan Lame ka deklaruar përfundimin e legalizimeve në Konispol, duke i hapur rrugë një tjetër reforme. Sfidë do të jetë tashmë regjistrimi i tokave bujqësore.
Konispoli u bë e para Bashki që mbylli procesin e legalizimit në vend, duke shënuar dhe nisjen e shkrirjes së ALUIZNI-t dhe Hipotekës në një të vetme që do të quhet Agjensia e Kadrastrës.
606 dosje janë trajtuar në Bashkinë jugore për periudhën 2014-2019, ku kanë mbetur vetëm 40 banesa pa u legalizuar, për shkak se aty nuk banon njeri.
Për të dhënë lejet e fundit të legalizimeve në Konispol ishte vetë kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.
Lame: E ka ndërtuar në tokën e vet, kështu që nuk ke paguar asgjë për legalizimin. Kjo është leja me të cilën mbyllet procesi i legalizimeve në bashkinë e Konispolit.Është bashkia e parë që e përmbyll fare procesin, madje duke e nisur dhe nga zero.
Drejtori i ALUIZNI-t u ndal edhe në fshatin Xharrë, ku dha lejet e legalizimit për tre kulte të besimit të krishterë, për kishën e Shën Katerinës, Shën Dhimitrit dhe Shën Kozmait.
Lame: Është minimumi që mund të bëjmë për bashkësitë fetare duke i ndihmuar me sa të jetë e mundur vendosjen në binaret e ligjshmërisë. Jeni ju pastaj që bëheni shembull për komunitetet tuaja për të vazhduar në rrugën e ligjit.
Lame u shpreh se pas banesave është radha e regjistrimit të tokave bujqësore, të cilat pronarët kanë vite që i punojnë por nuk kanë dokumentacionin e plotë.
