Banorët e fshatit Mallunxë protestë për ujin e pijshëm
Në ditët e nxehta të verës nevoja për ujë të pijshëm bëhet emergjente, ndaj edhe banorët e fshatit Mallunxë në njësinë administrative të Matit u mblodhën pranë kanalit të Klosit, duke kërkuar furnizim me ujë të pijshëm që u mungon prej vitesh.
Thatësira që ka pushtuar zonën ka detyruar banorët të kërkojnë ndërhyrjen e pushtetit lokal, pasi mungon jo vetëm uji në rubineta, një fakt me të cilin banorët janë mësuar, por edhe uji për vaditjen e tokave. Banorët ndjehen të braktisur dhe të fyer nga politikanët që sipas tyre, sjellin ujë tre ditë para zgjedhjeve dhe më pas shkëpusin.
Banor: "Duam ujë për të vaditur frutat dhe perimet. Asnjë njeri nuk është interesuar, vijnë vetëm 3 ditë para zgjedhjeve. Vitin e kaluar janë bërë investime ndërsa tani që është muaji korrik nuk ka ujë."
Të vetmet të ardhura për këta banorë të cilët jetojnë në fshatin e tyre Mallunxë është bujqësia. Por sipas tyre edhe me bujqësi mundi u shkon kot pasi farërat apo pesticidet janë me çmime të larta, saqë prodhimi nuk nxjerr koston e shërbimeve.
/Oranews.tv/
