Armët nga ushtria/ Grupet kriminale zotëronin kombinatin e armëve në Tiranë. Sokol Xhura dyshohet se iku në SHBA
Sokol Xhura, një nga personat e shpallur në kërkim nga SPAK dhe Policia e Tiranës, rezulton se është larguar nga territori i Shqipërisë, qe me 4 mars 2021.
Xhura, njihet si person me precedent penal, por dyshimet e policisë janë se ai mund të jetë larguar në drejtim të Shteteve të Bashkuara, pasi disponon pasaportë amerikane.
Ai eshte vëllai i Hysen Xhurës, ish-kryetar i njësisë bashkiake Nr.4 në kryeqytet.
Policia e Tiranes ka ushtruar kontroll në magazinën e Xhurës, por nuk ka mundur të gjejnë sende të paligjshme.
Ndërkohë në kërkim si i implikuar në tregtinë e armëve është dhe Akil Kulla, nipi i Nehat Kullës, të cilit ju sekuestrua një arsenal i madh armatimi.
“Ora News” mëson se fillimisht kjo çështjë u hetua nga prokurori Ardian Braho, i cili urdhëroi arrestimin e Gjergj Cukalit, Ermond Jamakut dhe Enver Jamakut.
Ky i fundit ka vendosur të bashkëpunojë duke treguar krimet e realizuara dhe tre vendet ku fshiheshin armët e kalibrave të rëndë.
Policia thotë se ka gjetur armë dhe punishte të modifikimit të tyre në zonën e Tufinës, Kamzës dhe ne Sauk. Ndërsa ka të dhëna se pas këtyre persona fshihet, Mentor Doda, alias “Tori” dhe një grup i fuqishëm kriminal në Tiranë.
Një person tjetër vijon të mbahet në monitorim nga policia, pasi dyshohet se është i implikuar në tregtinë e armëve. Grupi kriminal kishte kthyer tre bazat në “kombinat” të prodhimit dhe modifikimit të armëve luftarake. Për këtë proces shërbenin dy tornitorët Bujar Jaupi dhe Arben Sufa.
Në momentin e arrestimit Jaupi ishte duke modifikuar një pistoletë me silenciator. Sipas hetimeve të kryera fillimisht nga prokuroria e Tiranës dhe më pas nga prokurori i SPAK, Ervin Kondili, ka dyshime të forta se një pjesë e armatimit të sekuestruar është marë nga depot e ushtrisë shqiptare.
Kjo pasi armët dhe minicionet janë të reja.
Tornitorët ishin njerëzit që kryenin ndërhyrjen mekanike në armë, duke i ndryshuar gjilpërat, fshirë numrat e serisë dhe deri tek përshtatja e silenciatorëve dhe tytave.
Duke modifikuar këto pjese, armët bëheshin të pamundura, për tu identifikuar në mënyrë shkencore nga policia, edhe pse ato ishin të përdorura në ngjarje të ndryshme kriminale. Armët dhe municionet shiteshin te grupet kriminale dhe te vrasës me pagesë që veprojnë në Shqipëri.
Dy nga automatikët e sekuestruar janë sjellë nga Gjermania. Policia thotë se për shitjen e armëve, anëtarët e këtij grupi kriminal i reklamonin në “Facebook”, jo vetëm me foto por edhe me video duke qëlluar.
