Albanese: Me paratë e pista nga trafiku i drogës mund blihen politikanët në Shqipëri
Në një intervistë për gazetaren Alba Kepi, të transmetuar në Tempora nga Sonila Meço në RTV Ora, gazetari investigativ Michele Albanese u shpreh se Shqipëria është zonë shërbimi për mafian kalabareze dhe menaxhon drogë nga Amerika e Jugut.
Ai tha se me paratë e pista që fitohen nga trafiku i drogës mund blihen politikanët e korruptuar, që nuk shohin me kujdesin e duhur të mirën e vendit, pra demokracinë e lirinë e tij e blihen nga narkotrafikantët.
Alba Kepi: Do doja një koment tuajin mbi megaoperacionin "Basso Profilo" të antiamafias së Catanzaros me pyetjen se pse elementë mafiozë italianë zgjedhin një vend si Shqipëria për të investuar , ricikluar e pastruar paratë e tyre?
Michele Albanese: Hetimi i fundit i drejtuar nga prokuror Gratteri vuri nën hetim sipërmarrës e politikanë lokalë kalabrezë, si dhe një politikan në nivel kombëtar. Për të disatën herë ky hetim zbardhi raportin sinergjik mes një sipërmarrësi e disa qytetarëve shqiptarë të përdorur si "koka të drunjta" për faturime fallso e në shërbim të korrupsionit. Por raporti mes Kalabrisë e Shqipërisë nga këndvështrimi i krimit të organizuar është antik, i fuqishëm, i fortë e krimi i organizuar shqiptar po ngjitet në shkallët më të larta të kriminalitetit evropian e botëror.
Shqipëria është zonë shërbimi për mafian kalabareze. Mafia shqiptare po kryen një ndryshim të rëndësishëm, të fuqishëm, autoritar nga këndvështrimi kriminal. Fakti që në mënyrë autonome mund të menaxhojnë sasi të mëdha kokaine që blejnë në Amerikën e Jugut, në Meksikë, në Kolumbi dhe e shesin ata vetë duke nxjerrë fitim të madh e duke furnizuar Evropën, tregon se po përgatitet për të qenë një kriminalitet i fuqishëm.
Pra jo vetëm marijuana e cila kultivohet në një territor të madh në Shqipëri, por dhe trafiku i kokainës duhet të preokupojë Shqipërinë, që ka një demokraci të re e ku për fat të keq ka shumë korrupsion. Me paratë e pista që fitohen nga trafiku i drogës mund blihen politikanët e korruptuar, që nuk shohin me kujdesin e duhur të mirën e vendit, pra demokracinë e lirinë e tij blihen nga narkotrafikantët.
