Alarmi: ISIS kërkon rekrutues italishtfolës në Shqipëri, pagë 2000 euro në muaj
E përditshmja italiane "La Stampa" ka publikuar sot informacionin mbi një raport të Shërbimeve Sekrete i cili zbulon se Shteti Islamik po kërkon të rekrutojë luftëtarë të ISIS në Ballkan.
Objektivi është filtrimi i tyre në ambientet islamike italiane duke shfrytëzuar mosdyshimin e kombësisë së tyre shqiptare.
Rreth një muaj më parë Prokuroria e Xhenovës ka zbardhur dosjen hetimore mbi aktivitetin e një rrjeti rekrutesish islamik mes Shqipërisë e Italisë me bazë në qytetin e Ankonës.
Sipas hetuesve italianë ky bashkëpunim është një gjetje strategjike e ideale e terroristëve islamik pasi ndodhen jashtë dyshimeve të rrugëve kryesore të lëvizjes e aktivitetet të tyre.
Raporti i shërbimeve sekrete konfirmon se dy janë kërkesat kryesore për rekrutuesit shqiptarë; njohja mjaft e mirë e gjuhës italiane dhe aftësi informatike. Paga mujore për ta do të jetë 2000 euro në muaj.
Dosja e shërbimeve sekrete italiane është bazuar në hetimet e dy çështjeve paralele; vrasja më 2013 në Siri e të riut italian i konvertuar në luftëtar i ISIS, Giuliano Ibrahim Delnevo.
Ai qe pjesë e komandës luftarake të udhëhequr nga Abu Omar Al Shishani, sot një nga liderët kryesor të DAESH në Siri.
Sipas Prokurorisë së Xhenovës rrjeti i rekrutuesve islamik mes Shqipërisë e Ankonës realizuan rekrutimin e të riut italian e transferimin e tij si luftëtar në Siri.
Çështja e dytë ku është bazuar dhe raporti i shërbimeve sekrete lidhet me dyshimet ndaj një sipërmarrësi italian mbi udhëtimet mjaft të shpeshta të tij drejt Shqipërisë.
Policia financiare italiane mundi të zbardhë aktivitetin e tij të lidhur me një trafik ndërkombëtar lëndësh toksike me dyshime të forta se mund të përdoren për të prodhuar hedhëse bombash artizanale me destinacion Sirinë.
Porta hyrëse e këtij trafiku është kufiri grek ku mund të kalojnë lehtësisht mallrat e njerëzit.
"Në këtë udhëkryq, shkruan "La Stampa" mund të gjesh një rrjet aktivistësh e predikuesish islamik radikalë, shumë prej të cilëve shqiptarë të ardhur nga Kosova. Kërkojnë njerëz që flasin mirë italisht, e të tillë gjen plot në Shqipëri."
E përditshmja italiane informon se sipas raportit të shërbimeve sekrete Shqipëria është një problem i madh për Italinë, por dhe për Europën.
Është fronti i ri i luftës kundër terrorizmit islamik.

