Akuzuan doktoreshën se pengoi transferimin e babait në një spital jashtë vendi, policia procedon motrat Lalo
Dy ditë pas denoncimit të motrave Lalo se babai i tyre Rifat Lalo Minarolli, vdiq në spitalin Infektiv për mungesë shërbimi dhe se doktoreshë Mirela Qato pengoi transferimin e tij në spital në Bruksel, policia e Tiranës ka nisur procedim penal ndaj tyre.
Në komunikatën për media të policisë thuhet se "specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 filluan procedimin penal ndaj shtetaseve E. L. dhe I. L., sepse nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medias së shkruar, kanë përhapur informacione të rreme për shtetasen M. Q., me detyrë mjeke".
Nga ana e policisë po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Vajzat e pacientit Rifat Lalo që humbi jetën nga koronavirusi akuzuan spitalin Infektiv në Tiranë për mosdhënie të trajtimit të duhur për të sëmurin.
Ato kërkuan hapjen e hetimeve për vdekjen e Rifat Lalos më 15 shkurt pasi sipas tyre 75-vjeçarit nuk ishte bërë skaneri, dhe mjekët i kishin gënjyer duke pretenduar se e kishin kryer këtë veprim.
Familja e pacientit thotë se kërkoi ta transferonte jashtë Shqipërisë, por Infektivi u kishte nxjerrë pengesa duke mos u dhënë dosjen.
75-vjeçari që humbi jetën ishte vëllai i ish-deputetit të PD-së, Vili Minarolli.
Vasili: Policia duhet të procedojë Ramën
Për LSI në procedim për situatën me pandeminë duhet të jetë qeveria Rama.
Vasili: Sot i gjithë opinioni është shumë i tronditur dhe është pothuaj i shastisur dhe i shokuar se si ka mundësi që sot Policia e Edi Ramës procedon dhe hap hetim penal për përhapje informacioni të rremë për dy vajza, të cilat kanë humbur babanë e tyre nga Covid-i.
Në vend të ngushëllimit, keqardhjes, ndjenja minimale të cilat kanë shoqëruar shqiptarët në jetë e në shekuj, kanë parë një Kryeministër të pacipë dje që e ka konsideruar hidhërimin e tyre politik e sot për më tepër procedohen për përhapje informacioni të rremë. Përhapje informacioni të rremë nga dy vajza që kanë humbur babanë e tyre pak orë më parë.
Po kjo polici, polici maskarenjsh, më vjen keq që po e them kështu, nuk hapi ndonjë procedim penal e nuk u shqetësuan kur përhapte lajme të rreme Edi Rama dhe për këtë ju ftoj të ndiqni videon kur gënjente shqiptarët dhe u shiste videot e opozitës në Algjeri, si video të qytetarëve për shkak të pandemisë në Spanjë. Por, Edi Rama mund t’ia hedhë me një lajme, kurse për këtë tension që i krijoi opinionit publik, për të justifikuar dhunën e tij, autoblindat e tij idiote, që nuk siguronin asgjë, nuk iu fut gjemb në këmbë. Por u kërkoi falje, Edi Rama ia hedh me falje, ndërsa të tjerët humbasin të dashurit e tyre dhe çohen për procedim penal.
Edi Rama nuk çohet për procedim penal kur u tha shqiptarëve që nuk ka nevojë të mbani maskat, se nuk kanë asnjë vlerë.
Një ditë më parë ishte kryeministri Rama i cili kërkoi nga mediat që të verifikojnë lajmin para se të publikojnë denoncimet.
