MSH i përgjigjet akuzave të PS: Të mos përdoret politikisht jeta dhe shëndeti i njerëzve

MSH i përgjigjet akuzave të PS: Të mos përdoret politikisht

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas akuzave të një dite më parë të kreut të selisë rozë Edi Rama për Spitalin Ushtarak të Tiranës. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e këtij institucioni shprehu keqardhjen për përdorimin e shëndetit dhe jetës së qytetarëve për përfitime politike.

“Është e turpshme që jeta e qytetarit të thjeshtë të përkthehet në votë. Partitë opozitare duhet të shohin përtej 23 qershorit, pasi jeta e qytetarit nuk ka ngjyra politike”tha ajo.

Ndërkaq MSH ka hedhur poshtë edhe akuzat për mungesë investimesh në Spitalin Ushtarak, ku sipas zëdhënëses ka pasur miliona investime dhe me planin e ri ky spital pritet të shndërrohet në një model për rajonin.

Duke theksuar se dinjiteti i bluzave të bardha nuk mund të hidhet poshtë nga deklarata populiste të bëra në kafene, MSH shprehu vendosmërinë për vazhdimin e reformave në shëndetësi për një cilësi dhe shërbim sa më të mirë për qytetarët.

Një ditë më parë kreu i PS-së Rama është takuar me drejtuesit, mjekët dhe infermierët e Spitalit Ushtarak, prej të cilëve është njohur me gjendjen në të cilën ata kryejnë shërbimet ndaj qytetarëve dhe kanë shprehur shqetësimin për mungesën e bazës materiale.

Kryesocialisti, Edi Rama, ka premtuar se pas 23 qershorit, Spitali Ushtarak do të rimerret në kontroll të plote.

Sipas tij, strategjia e PS-së do të jetë zbatimi i planeve dhe masterplaneve, të cilat jo se mungojnë, por nuk vihen në zbatim me qëllim për ta lënë situatën të përshtatshme për abuzime dhe korrupsion në sektorin e shëndetësisë.

EMISIONET