AKKP kallëzim penal për ish-drejtorin Avenir Peka dhe 3 zyrtarë
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka dorëzuar sot një kallëzim penal për ish drejtorin Avenir Peka dhe 3 zyrtarë të tjerë të kësaj agjensie.
Në një njoftim të saj, AKKP-ja thekson se ka kallzuar në Prokurori për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës ish drejtorin Avenir Peka, për Agim Toron, ish Zv. Drejtor i Përgjthshëm dhe Drejtor Drejtorie, për Ardian Spahiaj, ish Përgjegjës Sektori Juridik dhe Kontollit dhe për Arben Cenaliajn, ish Përgjegjës Sektori për Qarkun e Tiranës.
Zyrtarët e mësipërm rezultojnë të kenë kryer shkelje të ligjit për Kthimin dhe Kompensimin e pronës gjatë kohës në të cilën ushtronin funksionet e sipërpërmendura.
Sipas AKKP-së në dosje mungojnë konfirmimet nga institucionet përgjegjëse në zbatim të ligjit në fuqi. Janë shmangur korrespondecat dhe bashkëpunimi me autoritetet kompetente në administrim të të cilave ka qenë prona e kthyer.
• Në dosjet përkatëse janë vënë re shkelje të cilat kanë të bëjnë me procesin e aplikimeve, verifikimeve në terren, shqyrtimit të akteve nga grupi i punës, shqyrtimi nga Sektori Juridik dhe Kontrollit dhe vendimmarrja e Drejtorit të Kthimit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP.
• Kryerja dhe moskryerja me dashje e veprimeve dhe mosveprimeve të kundraligjshme nga ana e zyrtarëve bie qartë në kundërshtim me ligjin Nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, VKM nr. 255, datë 13.04.2010 “Përprocedurat e mbledhjes, përpunimit dhe adminstrimit të akteve të subjekteve të shpronësuara, gjatë procesit të njohjes dhe kthimit apo kompesimit të pronës”, dhe përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës nga punonjësve përgjegjës të cilët kanë dëmtuar dhe interesat e instuticionit “Garda e Republikës”.
• Për këtë arsye, bazuar në nenin 281, të Kodit të Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë, për personat e lartpërmendur, AKKP kërkon regjistrimin e procedimit penal për veprën penale të parashikuara në nenet 248 “Shpërdorimi i detyrës”dhe 25 “Bashkëpunimi i personave për kryerjen e veprës penale ” të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”.
