17 kg marijuanë drejt Milanos me autobus, në pranga dy shoferët shqiptarë
Policia italiane e qytetit të Milanos ka arrestuar dy nënshtetas shqiptarë 27 e 41 vjeç, shoferë autobusi të një shoqërie transporti shqiptare e linjës së udhëtimit Milano-Tiranë.
Arrestimi i tyre u bë pasi në autobusin të cilin drejtonin janë gjetur dy çanta të mëdha me 17 pako nga 1 kg marijuanë secila.
Në njërën nga çantat janë gjetur dhe tre aparate celulare e një kartmonedhë 50 euro.
Arrestimi i tyre është bërë pas një kontrolli të Policisë italiane në bordin e automjetit, ndaluar në zonën "Cascina Gobba" të Milanos.
Lënda narkotike është gjetur e fshehur në pjesën e poshtme të sediljeve të fundit të autobusit.
Në bordin e automjetit udhëtonin dhe 3 nënshtetas të tjerë shqiptarë që pas verifikimit të policisë italiane rezultuan pa asnjë lidhje me lëndën narkotike.
Sipas nenit 73 të kodit penal përgjegjës për lëndën narkotike të tranportuar janë dy drejtuesit e automjetit.
Tre pasegjerët me kombësi shqiptare që udhëtonin me këtë linjë e që në momentin e kontrollit të policisë janë gjetur në bordin e automjetit janë lënë të lirë.
Dy shoferët e arrestuar akuzohen për trafik ndërkombëtar droge.
