Përfaqësuesi i PS-së në tryezën e Këshillit Politik, Damian Gjiknuri i ka vendosur ultimatum opozitës së bashkuar për të paraqitur listën e përbashkët të kandidatëve deri ditën e premte (18 shtator).

Burime për Ora News bëjnë me dije se opozita ka kërkuar rekomandimin e ODIHR ndërkohë që Gjiknuri ja pret qartë se fillimisht të mbyllet reflektimi i ndryshimeve kushtetuese në kod zgjedhor e më pas të kërkojnë opinion nga ODIHR.

Gjithashtu Gjiknuri ka deklaruar gjatë mbledhjes se ndryshimet kushtetuese tashmë janë në fuqi i duan apo nuk i duan opozita e bashkuar.

Gjiknuri: I doni apo nuk i doni kjo është tjetër çështje. Kemi Kushtetutën në fuqi dhe detyrimin për ta reflektuar në Kodin Zgjedhor. Ju lutem, ju ftoj që në ditët e ardhshme, deri të premten të sillni propozimet tuaja për: 1) pragun kombëtar zgjedhor, 2) afatet e paraqitjes së listës unike nga aleancat dhe 3) si do kryhet aspekti procedurial i votimit për kandidatët në kushtet e listave të hapura duke ruajtur kuotat gjinore. Nuk duhet humbur kohë. Duhet t’i japim bazën ligjore të plotë institucioneve që të përgatisin zgjedhjet.

Kërkesa juaj për të kërkuar në këtë fazë mendimin e ODIHR është e çuditshme kur jeni ju që na detyruat që të bëjmë një marrëveshje në 5 qershor e cila binte në kundërshtim me rekomandimin kyç të ODIHR që ishte depolitizimi i administratës zgjedhore. Atëhere nuk donit të pyesnit për ODIHR ndërsa tani qënkeni kujtuar t’i kërkojmë mendim. Ne pranuam atë çka kërkuat ju në 5 qershor dhe firmosëm bashkarisht pikërisht për tju plotësuar juve kërkesat. Gjithësesi e kemi firmosur atë marrëveshje dhe i kemi qëndruar asaj plotësisht. Marrëveshja e 14 Janarit thotë se ndërsa negociojmë mbi rekomandimet e ODIHR dhe nuk  biem dakord atëherë i drejtohemi ODIHR. Nuk kemi një rekomandim për listat e hapura dhe as për ndryshimet në kushtetutë nga ODIHR ndaj nuk kemi çfarë opinioni tu kërkojmë.

Unë ju them se jam i gatshëm që pasi të kemi përmbyllur produktin e reflektimit të ndryshimeve Kushtetuese në Kodin Zgjedhor, t’i themi ODIHR se si e sheh. Qëndrimi juaj i sotëm synon që të mos zbatohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe thoni hajdeni futemi në zgjedhje me një kod që bie ndesh me Kushtetutën.

Të njëjtat pika, ai i ka përsëritur edhe pas përfundimit të Këshillit Politik mbrëmjen e sotme.

Pas takimit Gjiknuri tha se nëse PD nuk paraqitet me propozime konkrete atëherë do të jetë në dorën e ekspertëve për të hartuar një draft.

Gjiknuri: Tashmë duhet të bëjmë me dije që pas një debati të gjatë PD qëndroi në të njëjtat pozicione sikur nuk ka ndryshuar asgjë. Është kthyer në të njëjtin debat të koalicioneve të cilat janë ezauruara. Si formulim ne marrim jë model që kanë vendet e ODIHR. I kërkuar që deri të premten të sjellin formulimin e pragut zgjedhor, dhe listën e kandidatëve. Duan ta vonojnë procesi që të mos implementohen ndryshimet kushtetuese. Kërkova që brenda 30 shtatorit të mbyllet kjo çështje përfundimisht. Përsa i përket kërkesës për ndihmën e ODIHR, atyre nuk u shkohet me opinione. Tani u kujtuan këto. ODIHR u shkohet me një draft të plotë. Nuk e di se çfarë kërkon PD nga ODIHR. Nuk mora vesh se çfarë donin. Nëse PD nuk paraqitet me propozime konkrete natyrisht që ekspertët do paraqesin me draftin teknik.