Surprizë e madhe në Sunny Hill: Lewis Capaldi vjen për herë të parë në Kosovë, fansat në "festë!"

Sunny Hill Festival ka konfirmuar një tjetër emër të madh të muzikës botërore. Këngëtari skocez Lewis Capaldi do t’i bashkohet edicionit të sivjetmë të festivalit, duke shënuar njëkohësisht edhe performancën e tij të parë në Kosovë.
I njohur për baladat që kanë pushtuar top-listat ndërkombëtare, Capaldi është një nga artistët më të suksesshëm të dekadës së fundit. Hitet e tij si “Someone You Loved”, “Before You Go”, “Forget Me” dhe “Wish You The Best” i kanë sjellë miliona dëgjime në mbarë botën dhe e kanë kthyer në një nga emrat më të dashur të muzikës pop.
Zëri i tij karakteristik dhe tekstet emocionale kanë krijuar një lidhje të veçantë me publikun, ndërsa koncertet e tij janë shndërruar në ngjarje që tërheqin mijëra fansa.
Konfirmimi i Lewis Capaldit i shtohet listës së artistëve ndërkombëtarë që do të ngjiten në skenën e Sunny Hill Festival, ku më herët është bërë publik edhe emri i Katy Perry.
Sunny Hill Festival 2026 do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Bernicë të Prishtinës, duke sjellë edhe këtë vit emra të njohur të skenës muzikore botërore.
Festivali vazhdon të konsiderohet një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në Kosovë dhe rajon, duke tërhequr çdo vit dhjetëra mijëra vizitorë nga vende të ndryshme.
Me ardhjen e Lewis Capaldit për herë të parë në Kosovë, organizatorët presin që interesi për biletat dhe pjesëmarrjen në festival të rritet ndjeshëm, ndërsa fansat tashmë po e konsiderojnë këtë një nga surprizat më të mëdha të këtij edicioni.

