"Zgjidhja do ishte anulimi i 2 Kuvendeve", Bozdo: Basha nuk e ka partinë me vete, si mund ta përballojë Ramën?

Doktor Berisha ka akuzuar Bashën se po ofron poste në kabinetin Rama në mënyrë që të mbledhë firma për 18 dhjetorin. Nga ana tjetër Basha thotë se "Sali Berisha e di që demokratët po konfirmojnë pjesëmarrjen në Kuvend dhe përhap lajme të rreme duke dashur t'i poshtërojë ata. Demokratët do të vijnë në Kuvend më 18 dhjetor sepse duan bashkimin dhe jo përçarjen."

Ish-sekretari organizativ i PD, Eno Bozdo i ftuar në studion e "Drejt" në RTV Ora u shpreh se kjo gjuhë nuk e ndihmon aspak PD-në.

Ajo që është shqetësuese sipas zoti Bozdo është fakti që PD po shkon drejt një përçarjeje.

Bozdo: Ngjarjet mund të rrjedhin ndryshe por mbajtja e dy Kuvendeve do të thotë që PD është ndarë në dy pjesë. Një pjesë e dikujt që ka partinë dhe pjesa tjetër që ka zyrën dhe vulën. Këtu nuk fshiheni dot, këto janë faktet. Pas kësaj përplasje ne nuk rritemi, por zvogëlohemi. Do të na duhet shumë energji e përpjekje për të ribashkuar partinë e për t'u ringritur. Shoqërisë i duhet një PD e fortë. Është shumë problematike mosndërrimi i elitave.

Bozdo u shpreh se jemi në një çast kur shoqëria shqiptare nuk ka prodhuar për 1 milion arsye asnjë lloj mekanizmi tjetër për të progresuar përpara.

Bozdo: Sado mosbesues që të jem ndaj Berishës për ta bërë një gjë të tillë (ringritjen e PD-së) situata në PD ka nevojë për një evoluim sepse dhe kur Basha ishte bashkë me Berishën PD po shkonte drejt përçarjes. Ne kemi mbërritur në një çështje që kjo parti nëse duhet të ekzistojë duhet të kthehet së pari ën një parti opozitare. Kushdo që është i aftë ta çojë minimalisht deri këtu është i mirëpritur.

Zgjidhja më e mirë sipas tij, është anulimi i dy Kuvendeve dhe caktimi i datës së zgjedhjeve.

"Lulzim Basha tani ka humbur çdo gjë që e shoqëron, nuk është më lider. Në këto kushte nuk mund të përballojë Ramën, kur nuk ka me vete partinë e tij," tha Bozdo.

EMISIONET