Zgjedhjet te dera, demokratët ende të përçarë, këshilla e Mediut: PD duhet të heqë dorë nga njerëzit e gjithëditur

Situata brenda Partisë Demokratike, teksa zgjedhjet vendore janë disa muaj larg, shqetëson jo pak dhe aleatët e saj.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, nga studio e Ora News me gazetarin Everest Dedaj pati një apel të qartë për ta.

Mediu: Edhe pjesa tjetër që ka një lloj kundërshtie me PD, zotin Berisha, kanë një qëllim. Duhet të shikojmë patjetër sesi mundet të fitojmë zgjedhjet. Do ti lutesha çdo kolegu tim nga të dyja anët, nëse kanë qenë luajalë me individët drejtues partie, zotin Basha dje dhe zotin Berisha sot, kanë bërë detyrën e tyre sipas konceptit moral që kemi ne shqiptarët për të qenë luajalë me njeriun që na ka ofruar mundësinë.

Por sot duhet të jenë luajalë me qytetarët shqiptarë, votuesit shqiptarë, duhet të tejkalojnë çdo lloj raporti që ka të bëjë në planin e mbështetjes individuale. Nuk do të zgjedhin Sali Berishën kryetar bashkie, as Fatmir Mediun, as Gazmend Bardhin. Do zgjedhim kryetar bashkie atë njeri që u ofron më tepër mundësi dhe shanse qytetarëve dhe këtë përzgjedhje duhet ta bëjmë bashkë. Duhet edhe ta bashkëshoqërojmë në fushatë. Çdo individ dhe parti ka vlerë. Duhet organizim i përbashkët dhe ide të qarta.

Mediu pranon se lufta brenda llojit ndonjëherë është shumë më e fortë se lufta me kundërshtarin. Në analizën e tij ka diçka që PD e ka penalizuar gjithmonë.

Mediu: Ka shumë njerëz që duan të fitoijnë por varet çfarë duan të fitojnë. PD ka pasur të gjithëditur  gjithë kohës. I dinin të gjitha, dinin dhe rezultatin pa hyrë në zgjedhje. Duhet të heqin dorë nga njerëzit të cilët mendojnë se i dinë të gjitha. Ata që dinë, dinë të dëgjojnë, të veprojnë me të tjerët.

Kreu i Republikanëve thotë se të gjithë aktorët politikë të opozitës bien dakord që do të duhet të garojnë me kandidatë të përbashkët por gjetja e mekanizmave dhe rrugës që do të materializojë këtë bashkëpunim nuk është përcaktuar ende.

Mediu: Të gjithë biem dakord që duhet të kemi një kandidat të vetëm, çështja është si do ta ndërtojmë këtë marrëdhënie. Berisha ishte i hapur por tha se kemi vendosur primaret  dhe do votojnë dhe simpatizantët dhe pas primareve një sondazh.Kandidati nuk duhet të dalë në logon e një partie, duhet të dalë në emër të opozitës që mos të ndodhë që të shkojmë në një drejtim për këshilltarët dhe një drejtim tjetër për kandidatin për kryetar bashkie.

Si i vjetër në politike, Mediu e ka të qartë se nuk vlen marrëveshja vetëm në Tiranë.

Mediu: Është e provuar. Nëse nuk e strukturojmë këtë marrëdhënie politike në të gjitha nivelet nuk kemi për të arritur sukses.

Nga ana tjetër ai shton se nëse opozita nuk ka kuptuar akoma që listat e hapura janë rruga për ti dhënë një qasje tjetër politikës shqiptare nuk ka kuptuar thelbin e lëvizjeve demokratike dhe nuk janë më parti të djathta.

EMISIONET