Zgjedhjet në 6 bashki, partitë regjistrohen nga 28-31 janar, fushata nis me 19 shkurt

Me 6 mars rreth 648 mijë qytetarë do t’u drejtohen 940 kutive të votimit për të zgjedhur të preferuarin e tyre në krye të bashkive të Shkodrës, Durrësit, Vorës, Lushnjes, Rrogozhinës dhe Dibres.
Edhe në këto vendore do të përdoret identifikimi elektronik, ndërsa për Voren mund të procedohet si me njësinë 10 në kryeqytet në zgjedhjet e 25 prillit pra me votim elektronik.
Me një akt procedurial, KQZ ka përcaktuar afatet për regjistrimin e koalicioneve, partive dhe kandidatëve.
Fushata zgjedhore fillon në datën 19 Shkurt 2022.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton përbërjen e KZAZ-ve jo më vonë se data 27 Janar 2022.
Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje, dhe Komitetet Nismëtare për bashkitë Shkodër, Durrës dhe Lushnje, nga data 28 Janar deri në datën 31 Janar 2022.
KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 orëve nga kthimi për plotësim. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.
Po kështu Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Shkodër, Vorë, Durrës, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnje, në KQZ brenda 24 orëve nga miratimi i të gjitha kërkesave për regjistrimin e partive politike dhe komiteteve nismëtare. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesën për regjistrim si koalicion brenda 24 orëve.



