Xhixho: Asnjë reagim nga institucionet e drejtësisë për masakrën zgjedhore, do të paraqesim fakte të tjera tronditëse
Nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho ka hedhur edhe njëherë akuza për shitblerjen e votës. Përmes një deklarate për shtyp, Xhixho tha se ka kaluar një javë nga masakra elektorale e 25 prillit dhe kur i gjithë opinioni publik pret reagimin e institucioneve të drejtësisë asnjë prej tyre nuk ka reaguar.
Ajo ju referua një videoje, ku sipas saj një nga drejtoresha e e Rilindjes dhe njëkohësisht pjesë e shtabit elektoral të Partisë Socialiste në njësinë numër një shihet me stilolaps në dorë gjatë procesit të numërimit të votave, dhe kjo është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor pasi përbën vepër penale.
"Teksa kanë kaluar një javë nga masakra elektorale e 25 prillit dhe kur i gjithë opinion publik pret reagimin e institucioneve të drejtësisë asnjë prej tyre nuk ka reaguar. LSI më 29 prill ka depozituar në organet e drejtësisë një kallëzim penal për një nga drejtoreshat e Rilindjes njëkohësisht dhe pjesë e shtabit elektoral të Partisë Socialiste në njësinë numër një. Zonja në fjalë ka konsumuar veprat penale 326 të Kodit Penal ‘Falsifikim i dokumenteve, rezultateve të zgjedhjeve’ dhe 326/A ‘Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore’. Kjo video që është filmuar në KZAZ numër 31, tregon qartë për shkeljen e ligjit. Sipas Kodit Zgjedhor asnjë numërues nuk duhet të disponojë stilolaps gjatë procesit të numërimit dhe jo më ta përdorë atë për të cenuar vullnetin e qytetarëve," tha Xhixho.
Më tej ajo shprehet se LSI nuk do të ndalet derisa të gjithë personat që kanë cenuar votën e shqiptarëve të përballen me drejtësinë.
"LSI nuk do të ndalet deri në momentin që kushdo që ka cenuar votën e qytetarëve shqiptarë të përballet me drejtësinë dhe të shkojë prapa hekurave."
Sipas Xhixhos, në ditët në vijim LSI do t'i paraqitë opinionin publik fakte tronditëse që hedhin dritë mbi masakrën elektorale të 25 prillit.
"Ditët në vijim do t’i paraqesim opinionit publik, fakte të tjera tronditëse që do të hedhin dritë mbi masakrën elektorale të 25 prillit të vënë në zbatim nga rilindja. Beteja jonë do të vazhdojë çdo ditë, pasi procesi nuk ka përfunduar ende. Ne nuk do ndalojmë deri në numërimin dhe rinumërimin e çdo vote të vlefshme, në respekt të vullnetit të çdo votuesi. Qytetarët shqiptarë meritojnë që procesi të mbyllet me transparencë dhe në bazë të ligjit deri në fund, sepse besimi i tyre te fuqia e votës jo vetëm s'duhet cënuar, por është me rëndësi për demokracinë në vendin tonë," tha Xhixho.

