Vrasja për votat në Elbasan/ Dha dëshmi të rreme, i vihen prangat në sallën e gjyqit të Paplekajt
Është arrestuar në sallën e gjyqit mesditën e djeshme njëri nga dëshmitarët në procesin gjyqësor kundër Arbër Paplekajt.
Donald Zane, u ndalua pasi dha dëshmi të rreme përballë gjykatës.
Zanë është shok i ngushtë i Mehmet Grecës dhe ndodhej në të njëjtën makinë kur Greca u ndalua nga grupi i mbrojtjes së votës i ngritur nga Partia Demokratike, përplasje që degradoi me përdorimin e armëve të zjarrit, ku si pasojë mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.
Sipas gazetarit Elton Qyno, Zane dhe Greca, u ndalua së bashku nga grupi ku bënte pjesë dhe i pandehuri Arbër Paplekaj.
Donald Zane, ndryshe ka deklaruar gjatë fazës së hetimeve në prokurori dhe ndryshe ka deklaruar ditën e djeshme kur është thirrur si dëshmitar para gjykatës së Elbasanit.
Arrestimi i Zanes në seancë, është bërë me urdhër të prokurorëve të çështjes, të cilët e akuzojnë për “Dëshmi të rremë.
Zane është dëshmitari i dytë i arrestuar në sallën e gjyqit, pasi në muajin Shkurt 2023 prokuroria urdhëroi arrestimin e Miles Kurtit, si një dëshmitar që nuk ka treguar të vërtetën dhe që ishte paraqitur në gjykatë në gjendje të dehur.