Vrasja në Maliq, dëshmia tronditëse e kryeplakut: Gjithë shtëpia ishte me ... na thanë i ka rënë murit me kokë
Banorët e fshatit Zvezdë në Maliq janë shprehur të tronditur për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, ku një 50-vjeçar u vra nga babai i tij pas një konflikti në familje.
Ata deklarojnë se familja Bylykbashi ishte familje e rregullt dhe nuk ishin në dijeni të konflikteve.
Adriatik Lilo, kryetar i fshatit thotë se 50-vjeçari që u vra me çekiç nga babai Hamdi Bylykbashi e kishte rënduar pijen kohët e fundit dhe se kishte kaluar dy ndarje. Kishte qenë pikërisht Lilo që kishte lajmëruar ambulancën, pasi i kishin thënë se viktima i kishte rënë murit me kokë në gjendje të dehur.
“Shumë familje e mirë. Këtë që ndodhi askush nuk e besonte. Njerëz të punës, pa fjalë, familje e rregullt. Djali ka pasur nja dy divorce, po nuk është ndonjë gjë. Po bën 1 vit e gjysmë a 2 që është kthyer nga Gjermania. Jetonte me të atin. Pijen e kishte rënduar, mbase dhe ndarja, larg fëmijëve. Unë isha në punë kur më morën në telefon, një djalë nga fshati që punon me makinë dhe më thanë që kishin lajmëruar për të çuar djalin në spital. E kishte marrë familja i kishte thënë hajde se kemi djalin, i ka rënë murit me kokë i dehur dhe duam ta çojmë në spital. Kishte vajtur ky e kishte parë gjak gjithë shtëpia dhe iu kishte thënë s’mund ta fus në makinë, lajmëroni ambulancën. Më merr mua në telefon të lajmëroja ambulancën se djali i Shefkiut i ka rënë murit me kokë dhe është shumë keq. I bie unë ambulancës, vjen ambulanca e merr, në spital deklaruan se ndërroi jetë. Kishte qenë gjallë kur e ka marrë ambulanca”, tha kryetari i fshatit.
Ai tregoi më tej se dhe 77-vjeçari ishte në depresion dhe nuk ishte mirë.
“Babai nuk ishte i goditur. Nuk e di çfarë të them se nuk kam qenë aty. I ati si gjithmonë, i njëjti ishte. Ka kaluar depresion, nuk ka qenë mirë dhe i ati këto kohët e fundit. Nuk ka qenë ai Shefki që ka qenë i pari se unë jam rritur me ta dhe i njoh shumë mirë. Kanë qenë familje e nderuar. Vetëm me pijen. Hamdiu ishte djalë i vetëm. S’e kam parë viktimën, më thanë që është shumë keq, me gjak, i dëmtuar, ka çarë kokën dhe duhet ambulanca kaq”, tha ai.