Masakra e Fushë Krujës ende pa autorë, dhjetëra të shoqëruar për vrasjen e trefishtë

Dhjetëra persona janë shoqëruar për masakrën me tre viktima në Fushë Krujë, por autorët e krimit që tronditi vendin deri më tani janë të lirë! Forcat Speciale të Policisë së Shtetit janë në ndjekje të personave problematikë në zonën e Fushë Krujës, ndërsa ekspertët po kërkojnë gjurmë nga ekzekutorët! Frika është se vrasja e trefishtë mund të hapë një luftë mes grupeve kriminale, ndaj drejtori i Policisë së Shtetit u ka kërkuar strukturave vartëse të angazhohen për ta parandaluar.

Masakra me tre viktima në mbikalimin e Fushë Krujës mbetet pa autorë, ndërsa hakmarrja është pista kryesore e hetimit.

Dhjetëra persona janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit ose personit në dijeni për ngjarjen.

Kryesisht mësohet se janë banorë të Krujës, Kurbinit, Milot dhe Fushë Kuqes nga ku ishin edhe viktimat Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.

Pas dëshmive mësohet se janë lënë të lirë. 

Deri më tani nuk ka konfirmime për persona të ndaluar ose arrestuar.

Forcat RENEA kanë bërë kontrolle në zonën e Niklës, ku disa persona mësohet se nuk janë gjetur.

Edhe këtë të hënë, Forcat Speciale dhe agjentë të krimeve të drejtorisë së Policisë së Durrësit ndodhen edhe sot në Fushë Krujë.

Veç dëshmive, mësohet se grupi hetimor po mbledh pamje të kamerave të sigurisë dhe prova të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes së trefishtë.

Në duart e ekspertëve janë edhe dy makina të djegura. Njëra e gjetur menjëherë pas krimit në Larushkë, ku u gjetën dhe armët me të cilat besohet se tre të rinjtë u qëlluan me më shumë se 80 plumba.

Ndërsa e dyta po Volkswagen u zbulua në orët e para të mëngjesit të sotëm, 18 korrik,në Ahmetaq të Tiranës. Mjeti mësohet se nuk është i regjistruar në vendin tonë ndaj po verifikohet nëse u përdor për krimin.

Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha u ekzekutuan në mbikalimin ndërsa udhëtonin me një makinë e cila më pas përfundoi në flakë.

Autorët ishin të paktën katër persona lëviznin me një tjetër mjet në sens të kundërt, u bënë pritë që i hapën zjarr me breshëri me tre armë.

Diklen Vata arriti të dalë nga makina, por autoret u kthyen për ta ekzekutuar ndërsa, dy të tjerë u dogjën në makinë.

Mënyra e ekzekutimit dhe lidhjet e personazheve kanë vënë në alarm blutë.

Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano, në një takim në Fushë Krujë u kërkoi vartësve të analizojnë çdo provë jo vetëm për zbardhjen e vrasjes trefishtë por parandalimin e një vale ngjarjes kriminale që mund ta pasojnë.

Policia ndërkohë ka dhënë 30 milionë leke të vjetra shpërblim për këdo që jep informacion mbi autoret e mundshëm.

EMISIONET